Ushtria shqiptare “blindohet” me 29 mjete, dhuratë nga Amerika

Batalioni i II i këmbësorisë së Forcës Tokësore është një hap më pranë mekanizimit të plotë të tij. Qeveria e SHBA-së dhuroi 29 mjete të reja, të blinduara, shumëpërdorimshme dhe me lëvizshmëri të lartë (Humvee) për këtë strukturë të deklaruar në NATO.

Ministri Peleshi falënderoi SHBA-në për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë për modernizimin e FA, trajnimin dhe arsimimin e efektivëve tanë. “Ndihma materiale, teknike dhe modernizuese e SHBA-së, i ka dhënë dhe u jep ushtarakëve tanë më shumë fuqi, forcë dhe efektivitet në operacionet brenda dhe jashtë vendit. Në sajë të kësaj ndihme, ata janë më të trajnuar për të përmbushur me sukses pothuajse të gjithë spektrin e misioneve dhe detyrave. Kjo mbështetje e vazhdueshme e fuqishme dhe thelbësore ju ka dhënë veçanërisht trupave tanë të angazhuar jashtë vendit më shumë besim, siguri dhe dinjitet në krye të detyrave të tyre. Modernizmi i teknikës dhe i pajisjeve duke filluar me mjete komunikimi detare, ajrore, mjete të blinduara dhe pajisje të tjera luftarake tokësore, mjete të mbrojtjes kimike e të tjera, ka qenë domethënëse për FA. 29 mjete të blinduara dhe armatimi luftarak për të cilat jemi mbledhur sot në ketë event sigurisht që nuk janë dhe nuk do të jenë të fundit. Kjo ndihmë dhe mbështetje për forcimin e muskujve ushtarakë të dy prej njësive tona kryesore siç janë batalioni i II dhe ai i Forcave Speciale është shumë më tepër se kontributi real dhe konkret rritjen e kapaciteteve të tyre operacionale luftarake. Kapacitetet tona janë kapacitetet tuaja, janë kapacitetet e aleancës, FA shqiptare do të jenë gjithmonë me ju, gjithmonë me aleancën në mbrojtjen dhe sigurimin e vlerave tona të përbashkëta.”- iu drejtua ministri Peleshi ambasadores së SHBA, Yuri Kim.

Nga ana e saj, ambasadorja Kim tha se dhurimi i mjeteve të reja kontribuon në transformimin e batalionit të II të këmbësorisë, nga një batalion i lehtë, në një batalion të mekanizuar.

Diplomatja amerikane u shpreh krenare që Shqipëria i përgjigjet detyrës, duke qenë gjithmonë në krah të SHBA-së, pavarësisht sa të rrezikshme janë misionet, pavarësisht sa larg shtëpisë. Dhurimin e 29 mjeteve të reja, ajo e konsideroi si një donacion të rëndësishëm në prag të “Defender Europe 21”, stërvitjes ushtarake më të madhe në Evropën Juglindore.

Mjetet e reja të dhuruara nga SHBA-ja do të përdoren kryesisht nga batalioni i II i këmbësorisë në Forcën Tokësore, i cili është një strukturë në gatishmëri dhe dispozicion të Aleancës për t’u dislokuar kudo dhe kurdo.