Zgjedhja e Presidentit, Abdixhiku i LDK-së jep sinjale pozitive pas takimit me Osmanin

Qëndruan përballë njëri-tjetrit për rreth 2 orë duke diskutuar një çështje të vetme, atë të Presidentit të ri. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani patën një bisedë mjaft të frytshme dhe pozitive, por që nuk ishte e mjaftueshme.

Palët do të mbajnë edhe një takim tjetër për të qartësuar edhe më tej disa çështje, ndërsa vendimi përfundimtar për mbështetjen ose jo të kandidaturës së Osmanit do të merret vetëm pas konsultimeve me organet e brendshme partiake të LDK-së.

Abdixhiku bëri me dije se nuk ka ndonjë kundërshtim për platformën e Osmanit: “Besoj që pas konsultimeve të brendshme dhe pas konsultimeve me zonjën Osmani, do të kemi edhe qëndrimin tonë përfundimtar. Ajo që kemi parë sot është se ka qenë një frymë dhe intencë pozitive për të bërë zhbllokimin e situatës së tanishme”.

Sa i përket thirrjes së seancës parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri, Abdixhiku tha se për këtë duhet pajtueshmëri nga të gjithë aktorët politikë dhe jo vetëm nga njëra palë. Kreu i LDK-së siguroi se nuk do të ketë vendime individuale lidhur me çështjen e Presidentit.

Ndërsa la të hapur mundësinë e një bashkëpunimi me deputetët e Listës Guxo, të Vjosa Osmanit.