Zgjedhja e presidentit, Kurti optimist për Osmanin: Seanca do të mbahet së shpejti

KURTI PRESIDENTJA frame 873 1100x620

Nga varri i Ibrahim Rugovës, ku zhvilloi homazhe me rastin e 22-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s në Serbi, kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës Albin Kurti tha se shumë shpejt do të mbahej seanca për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente.

Sipas Kurtit, kjo do të ndodhë menjëherë pas zëvendësimit të deputetëve që u emëruan ministra. Kryeministri i ri është i bindur që Osmani do të marrë mbështetjen e nevojshme.

“Dy hapa të rëndësishëm tashmë janë përmbyllur, zgjedhja e kryetari të Kuvendit dhe Qeverisë, ka ngelur edhe hapi i tretë edhe atë do ta kurorëzojmë me sukses, pra presidenten e Republikës. Besojmë se sapo të zëvendësohen deputetët që iu bashkuan kabinetit qeveritar do të thërrasim një seancë të radhës, ku atë që e votoi populli me 300 mijë vota do ta legjitimojmë edhe në Kuvend”, tha Albin Kurti.

Ndërsa për qeverinë, Vetëvendosje nuk kishte nevojë për mbështetjen e partive shqiptare në opozitë, roli i tyre është vendimtar për zgjedhjen e presidentit. Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para nevojiten 2/3 e votave ndërsa në raundin e tretë duhet një shumicë e thjeshtë prej 61 deputetësh, por një pjesëmarrje prej 80 të tillë.

PDK dhe AAK kanë thënë se nuk do të mbështesin kandidaturën e Osmanit, ndërsa LDK do të vendosë pas takimeve që do të zhvillojë me Osmanin. Më herët, shefi i ekzekutivit zhvilloi homazhe edhe në Prekaz e Deçan, ku vlerësoi lart rolin e të rënëve për liri.

  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 3 humbje jete në 24 orët e fundit nga Covid-19
  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 91 raste të reja nga 1762 testime të kryera
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: Po trajtohen 111 pacientë, 17 në terapi intensive, 6 të intubuar