“Denonco krimin zgjedhor”, Meta prezanton nismën për mbrojtjen e votës

mbroje voten nisma e presidentit meta 1100x620

Në ditën e nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, presidenti Ilir Meta ka prezantuar nismën “Denonco Krimin Zgjedhor” nën moton: “Të mbrojmë zgjedhjet, të mbrojmë pluralizmin, të mbrojmë demokracinë!”. Ai u bën apel qytetarëve që të demaskojë çdo veprim, që përbën shkelje të së drejtës së votës për të mbrojtur demokracinë dhe pluralizimin dhe shprehet i bindur se do të ketë aleancën e tyre në këtë mision historik, siç e quan ai.

Në mesazhin e kreut të shtetit ndër të tjera theksohet se rreziku i shitblerjes së votës është i pranishëm e kërcënues dhe fton qytetarët të mos hezitojnë, por me kurajo të denoncojnë dhe dokumentojnë me zë dhe me figurë çdo veprim të kundraligjshëm.

“Çdo lloj veprimi, që përbën kanosje apo dhunim të zgjedhësve, apo subjekteve zgjedhore, apo çdo shkelje, që i bëhet të drejtës së votës së qytetarëve; Çdo veprim, që synon të pengojë ushtrimin e të drejtave nga subjekteve zgjedhore gjatë këtyre zgjedhjeve; Të denoncohet çdo falsifikim që mund të tentohet t’i bëhet materialit zgjedhor apo rezultatit të zgjedhjeve; Të denoncohet çdo veprim, që synon të dëmtojë materialet zgjedhore; Të denoncohet çdo veprim apo mosveprim, që dhunon votimin e fshehtë; Të denoncohet çdo përpjekje apo veprim, që synon votimi më shumë se një herë; Të denoncohet çdo veprim që synon korrupsionin aktiv apo pasiv në zgjedhje; Të denoncohet çdo tentativë apo përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore; Të denoncohet çdo lloj veprimi që synon pengimin e zgjedhësit në votime; Të denoncohet çdo shkelje e së drejtës së zgjedhjes; Të denoncohet çdo veprim, që synon të tërheqë apo të përdorë në mënyrë të paligjshme dokumenta të identifikimit të personave të tjerë; Të denoncohet pa hezitim, çdo anëtar i Forcave të Armatosura apo i Policisë së Shtetit, i cili shpërdoron detyrën, duke u angazhuar politikisht, apo duke mbështetur me veprime apo mos veprime një forcë politike”.

Presidenti shprehet se ka vënë në dispozicion në faqen e institucionit të Presidentit një dritare të re të mbrojtjes së votës dhe çdokush mundet të denoncojë çdo fenomen negativ që ka lidhje me procesin zgjedhor.

Presidenti i Republikës shprehet se këto zgjedhje janë të lidhura drejtpërdrejt me të ardhmen tonë europiane dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e çdo denoncimi, dhe bërjen publike të fakteve që lidhen me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor.

“Vetëm përmes garantimit të ushtrimit të së drejtës themelore të votës dhe realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme do t’i japim fund krizës së legjitimitetit dhe të përfaqësimit, që ka përfshirë institucionet kryesore të shtetit, do të zhbllokojmë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian dhe do të garantojmë se do të qeverisemi sipas vullnetit real të sovranit.  Presidenti i Republikës është i hapur të bashkëpunojë me të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse, shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë ata, që kanë për detyrë mbarëvajtjen apo monitorimin e procesit zgjedhor, për të garantuar se çdo fenomen negativ, që përbën vepër penale, të evidentohet, regjistrohet dhe të hetohet brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

  • LAJMI I FUNDIT | Po mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Aspiratën për ndryshim e mishëron sot vetëm PD, do vazhdojmë të luftojmë
  • LAJMI I FUNDIT | Nishani: Masakra elektorale e vërtetë, por ka qenë edhe dështim i joni
  • LAJMI I FUNDIT | Nishani: Baza e dëshpëruar, dështuam të realizonim ndryshimin
  • LAJMI I FUNDIT | Nishani: Zoti Basha, jep dorëheqje nga drejtimi i Partisë përpara zgjedhjeve