Grup kriminal dhe vrasje në bashkëpunim, kapen dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar

policia vlore 1100x620
Foto ilustruese

Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar kanë rënë në prangat e policisë.

Sikurse njoftohet, në Qafë Thanë është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 47-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhimi e shitja e narkotikëve”.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë të mundur arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasit A. D., 47 vjeç, banues në Gostivar, Maqedoni e Veriut. Gjykata e Torinos, Itali, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhimi e shitja e narkotikëve”, njofton policia.

Ndërkaq në Fier, është vënë në pranga një 30-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 14 vite burg për veprat penale “Vrasje në bashkëpunim” dhe “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me FNSH Fier dhe me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit Izmir Krasniqi, 30 vjeç, banues në Fermë Çlirim, Fier”, njofton policia.