Ndeshja me Anglinë në rrezik? Policia nuk garanton marrjen e masave

Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ka marrë një njoftim nga Policia e Shtetit e cila deklaron se strukturat e saj nuk garantojnë marrjen e masave për zhvillimin e ndeshjes eliminatore për Botërorin 2022, e cila do të luhet më 28 mars, në orën 18:00.

Disa ditë më parë, UEFA i dërgoi një letër zyrtare FSHF-së, në të cilën e paralajmëron se, nëse situata nuk vihet nën kontroll me zgjerimin e pakontrolluar të bizneseve në Arenën Kombëtare, atëherë sfida e datës 28 mars do të jetë e pamundur që të luhet në Tiranë.

Gjendur përballë situatës, FSHF-ja i kërkon kreut të IKMT, Dallëndyshe Bici dhe drejtorit të Inspektoriatit Urbanistik të Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato ndërhyrje emergjente për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”.