Pampuri: Fryma e fushatës së PD, prezantimi i programit konkret

“Nuk ka vend për agresivitet, por do të jetë prezantimi i programit konkret të PD-së”. Kjo do të jetë fryma e fushatës elektorale të Partisë Demokratike përgjatë këtyre 30 ditëve, deklaroi në studion e Ditari në A2 CNN kandidatja demokrate Oriola Pampuri.

“Kemi program konkret të ekspertëve dhe të gjitha këto programet e përmbledhura në program bazë do të shpalosen nga të gjithë deputetët dhe grupet e interesit që kanë vend në këtyë program i implementueshëm 100 %. Kjo është fryma e fushatës që na pret në këto 30 ditë”.

Duke krahasuar fjalën e kreut të qeverisë në çelje të fushatës së PS-së, kur tha se sfida e sfidave është pandemia, Pampuri tha se qeveria nuk mori masa për të mbrojtur qytetarët dhe mjekët, pavarësisht apelit të opozitës.

“Qeveria nuk mori masa për të mbrojtur  qytetarët dhe mjekët shumë mjekë kanë humbur jetën. Ngadalësi dhe mungesë totale serioziteti me të cilën bota po ecte me hap të shpejtë. Të gjithë mjekët janë të rrezikuar. Të lësh mjekët pa vaksinuar është e pafalshme”.

Asnjë qeveri në botë nuk mund të përdorte pandeminë për të bërë fushatë, tha Pampuri, kur u pyet se a do ta ndihmojë Ramën ardhja e vaksinave. Sipas saj është detyra e qeverisë që të marrë masa.

“Pandemia është prioritet i PD dhe Aleancës për ndryshim, do jetë mbrojtja, por nuk mund të jetë pjesë e fushatës pandemia. Askush nuk do ta përdorte pandeminë. Nuk mund të jetë kjo si armë dhe kauzë e fortë për të bërë fushatë”.

E pyetur në lidhje me deklaratën e Ramës që nëse kjo pandemi do të kishte ndodhur 8 vite më parë, kur PD ishte në pushtet, Pampuri theksoi se para 8 vitesh nisi decentralizimi, që kryeministri e ndërpreu dhe nisi centralizimin total.

“Para 8 vitesh nisi një proces i rëndësishëm decentralizimit ku këto që mungojnë sot nuk do të mungonin se nuk do vendoste Rama e Manastirliu, por vetë ekspertët që përballen me këto problematika, ndërkohë që Rama e ndërpreu këtë proces dhe nisi centralizimin total. Që nuk janë të barabarta duket qartë po ama është ai që nuk ka nisur asnjë reformë. Ne jemi ata që kemi bërë të pamundurën që Shqipëria të bëjë hapa para për negociatat kurse Rama jo vetëm që nuk bëri hapa por i shtoi kushtet Shqipërisë”.

Pampuri përmendi gjithashtu edhe premtimet e pambajtura të Ramës, ndërsa PD vjen me një program të zbatueshëm.

“PD premtoi që puna e parë do të jetë përmbushja e kushteve që ne të jemi pjesë e BE. Plus ekonomia e rrënuar, papunësia, kosto e lartë e jetesës, persona që largohen nga vendi dhe Rama është në pozita të pabarabarta. PD vjen me një program të zbatueshëm. Rama nuk bëri asnjë tentativë për të mirën e këtij vendi, rriti numrin e personave që largohen. Premtoi shëndetësi falas dhe nuk e bëri. Rama ka mbajtur pranë njerëz problematikë. Kurse Basha ka pedagogë, akademikë, shkrimtarë, politikanë të nderuar dhe askush nuk është pjesë e sherreve të Ramës”.