Pritet kufizim i eksporteve, Merkel mbron qasjen e BE-së për blerjen e vaksinave

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, mbron vendimin e Bashkimit Europian për sigurimin e përbashkët të vaksinave anti-covid. Kjo vjen mes presionit të shtuar ndaj Brukselit si shkak i vonesave në marrjen dhe shpërndarjen e dozave.

Liderët e BE-së do të mbajnë bisedime virtuale për të diskutuar rreth mënyrave të rritjes së furnizimit me vaksina dhe përmirësimit të shpërndarjes mes 27 vendeve anëtare.

Komisioni Europian ka paralajmëruar një kufizim të mundshëm mbi eksportimin e dozave të prodhuara në vendet e bllokut. Ndërsa Merkel kërkoi rritjen e kapaciteteve prodhuese brenda unionit për vaksinat anti-covid.

“Fabrikat në Britani po prodhojnë për Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara nuk po eksportojnë, ndaj ne duhet të bazohemi në atë që mund të prodhojmë në Europë. Duhet të supozojmë që virusi, me mutacionet e tij, do të na pushtojë ne për një kohë të gjatë, ndaj çështja shkon përtej këtij viti”, u shpreh Merkel.

Kjo erdhi pas grindjes më Britaninë e Madhe, shtet i cili po zhvillon fushatën më të shpejtë në Europë të imunizimit të qytetarëve ndaj Covid-19. Kryeministri Boris Johnson ka paralajmëruar liderët e BE-së që të mos shkojnë në këtë drejtim, pasi edhe Londra do të kundërpërgjigjet me bllokadë të vaksinave.

Përplasjet vijnë ndërsa vala e tretë e pandemisë koronavirus po përfshin kontinentin e vjetër. Shtete si Gjermania, Franca, Italia e shumë të tjera ashpërsuan kufizimet për të frenuar përhapjen e lartë, ndërsa Britania po mendon lehtësimin e tyre. Të dhënat e fundit tregojnë se 13 doza janë administruar për 100 persona në BE, krahasuar me 44 në Mbretërinë e Bashkuar dhe 37 në SHBA.