Qeveria shtyn më 30 Qershor afatin e regjistrimit të pronarit përfitues

Kryeministria Qeveria 1100x620

Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave miratoi projektaktin normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.112/2020 “Për regjistrin e pronarit përfitues”.

Me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore të parashikuar në ligjin për regjistrin e pronarit përfitues, si dhe për të realizuar një proces sa më efiçent dhe gjithëpërfshirës, duke konsideruar që afati i përmbushjes së këtij detyrimi deri më 31 Mars nuk ishte i mjaftueshëm, u konsideruan arsyet e nevojshme për zgjatjen e afatit.

Zgjatja e afatit në kuptim të instrumentit ligjor u bë me Akt Normativ për shkak të rrethanave proceduriale aktuale, për garantimin e përmbushjes së detyrimeve ligjore duke konsideruar arsyet të cilat paraqiteshin në pretendimet e grupeve të interesit.

Kjo zgjatje u jep mundësinë biznesit që të plotësojnë këto detyrime brenda afatit të parashikuar në këtë Akt, si dhe u jep mundësi të bëhet pjesë e këtij procesi.

Në këto kushte, me ndryshimet e këtij projektakti normativ, lidhur me Regjistrin e Pronarëve Përfitues afati për përmbushjen e detyrimit ligjor nga subjektet raportuese të zgjatet, deri më 30.06.2021.

Me ndryshimet e këtij projektakti normativ, në përgjigje  dhe të kërkesave  të biznesit, është vlerësuar që në rastin e ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese, ky regjistrim të bëhet brenda 90 ditëve nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik.