Rama krahason hapjet e fushatave: Ne respektuam rregullat, ata treguan papërgjegjshmëri

Kryeministri i vendit dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në hapjen zyrtare të fushatës pasditen e sotme, deklaroi se “edhe sonte po e bëjmë dallimin e madh”, duke theksuar se Partia Demokratike nuk respektoi rregullat.

“Edhe sonte po e bëjmë dallimin e madh. Ne dhe ata u vumë sot përpara syve njerëzve dy kartolina. Mjafton t’i shohësh për të kuptuar ndryshimin e madh dhe hendekun që ndan ne dhe ata në marrëdhënien tonë me njerëzit dhe shtetin. Këtu ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat që i kemi vënë të gjithë bashkë dhe i kemi pranuar të gjithë bashkë. Ndërkohë, atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, rregullat dhe njerëzit. Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore dhe familjare, ndërsa atje sundon papërgjegjshmëria”, deklaroi Rama.

“Makina dhe dasmorë vunë përpara një dhëndërr që u vonua një orë. Çfarë mund të presësh nga dikush që la një orë në të ftohtë njerëzit që mblodhi vetë? Natyrisht që po flinte gjumë sepse e la takimin në orën 17:00, nuk është orë për Lulin. Atje, në mungesë të dhëndrrit, dasmorët dëgjonin britma, klithma e pasthirrma. Si mund të pretendohet në shekullin XXI, në vitin 2021, që të merret në dorë Shqipëria e të qeveriset me britma. Atyre që shohin këto dy kartolina u them se nëse doni të dini se çfarë e pret këtë vend, nëse ata do të vinin përsëri në krye, shikoni sheshin “Nënë Tereza”, që është bllokuar totalisht dhe është ngatërruar me këmbët e veta”, shtoi kreu i qeverisë.

Më tej, Rama u shpreh se kreu i PD-së, Lulzim Basha, është kukull në duart e treshes Berisha-Meta-Kryemadhi: “Luli nuk është Luli. Luli është Saliu, është Iliri, është Monika… Luli është kukull e tundur kur ne e shohim. Kur zhduket nga ekrani, është një kukull që fle. Ata të tre janë një arsye shumë e fortë për mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, është një mandat për të mos lënë në mes një punë të nisur në çdo drejtim, një punë që ka nisur të japë rezultate, por që nuk ka sjellë ende të gjitha rezultatet që duhen”.