Raporti i IDM: Shqiptarët më të shqetësuar për ekstremizmin politik se atë fetar

Gjatë tre viteve të fundit shoqëria shqiptarë është më shumë e shqetësuar për ekstremizmin politik, sesa për ekstremizmin fetar dhe atë nacionalist.

Ky është një nga përfundimet e raportit të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësi lidhur me ekstremizmin e dhunshëm në vend.

Studimi të financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, verën një potencial në rritje të formave të tjera të ekstremizmit të dhunshëm, që tejkalojnë ekstremizmin fetar.

Sipas raportit, shqiptarët priren të deklarojnë se në komunitetin e tyre veprojnë më shumë grupet me individë ekstremistë politikë, sesa grupet apo individët ekstremistë fetarë apo nacionalistë.

Studimi nënvizon se grupet më të rrezikuara shoqërore për t’u prekur nga ekstremizmi i dhunshëm janë të rinjtë, të papunët dhe të përjashtuarit. Sipas raportit, shqiptarët me nivel të ulët arsimor kanë më shumë gjasa të përfshihen në veprimtari të paligjshme ekonomike për të siguruar bukën e gojës, ose të mbështesin përdorimin e mjeteve të dhunshme për të arritur ndryshime politike për të mbrojtur të drejtat e liritë e tyre.

Në një kohë që Shqipëria përgatitet për rehabilitimin dhe riintegrimin e 76 shtetasve shqiptarë që pritet të kthehen nga Siria dhe me qëllim parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, raporti sugjeron ndërmarrjen e disa veprimeve.

Mes tyre nënvizohen nevoja e strategjive gjithëpërfshirëse, nxitjen e qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrje, si edhe fuqizim të komuniteteve fetare duke i angazhuar në strategjitë e parandalimit dhe riintegrimit të zbatuara nga Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.