Shqipëri-Angli në rrezik? Policia siguron: Kemi marrë të gjitha masat për garantimin e rendit

Policia e Shtetit 1100x620

“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë e deri në përfundim të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Anglisë”.

Ky është reagimi i Policisë së Shtetit, pasi Federata Shqiptare e Futbollit bëri me dije se ka marrë një njoftim ku thuhet se strukturat e policisë nuk garantojnë marrjen e masave për zhvillimin e ndeshjes eliminatore për Botërorin 2022, e cila do të luhet më 28 mars, në orën 18:00.

Policia e Shtetit shprehet e keqardhur “për reagimin e nxituar në media të FSHF-së, në kundërshtim të hapur me frymën e bashkëpunimit mes dy institucioneve” dhe “siguron qytetarët se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Angli”.