Soreca thirrje partive politike: Shmangni provokimet dhe gjuhën e urrejtjes

Në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, shefi i delegacionit të BE-së dhe ambasadorët e vendeve të tjera të Bashkimit Europian, kërkojnë që të shmanget gjuha e urrejtjes.

“Ne në fakt kemi publikuar një deklaratë të vendeve të BE-së, e cila unë mendoj që është një sinjal shumë i rëndësishëm i përbashkët nga të gjitha vendet anëtare.

Ky është mesazhi i parë dhe është kjo ajo që duam të japim në fillim të fushatës zgjedhore. Në deklaratën tonë ne ftojmë partitë politike që të përdorin një frymë të respektit të ndërsjellë, dialogut dhe vetëpërmbajtjes duke lënë mënjanë retorika provokuese ose me gjuhë urrejtje.

Presim të ketë transparencë dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kështu do të ndihmohet ligjitimiteti i qeverisë dhe Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë. Me lejoni që në mbyllje të fjalës sime të them që misionet diplomatike do të jenë  të pranishëm në ditën e zgjedhjeve. Ne do jemi në krah të Odihrit për të ndihmuar në monitorimin e zgjedhjeve”, deklaroi Luigi Soreca.