Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

“Të bashkohemi për ndryshimin”, Basha apel qytetarëve: Kam nevojë për ndihmën tuaj

Nga A2 CNN
25 Mars 2021, 19:07 | Politikë
“Të bashkohemi për ndryshimin”, Basha apel

“Bashkimi ynë është për ndryshim, ku do të fitojë Shqipëria dhe çdo shqiptar. Ne jemi ekipi i fitores dhe ndryshimit”. Me këto fjalë kreu demokrat Lulzim Basha iu drejtua mbështetësve të tij në sheshin “Nënë Tereza” në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Ai tha se pas 25 prillit do të hapet një faqe e re për vendin, për zhvillimin, punësimin dhe mirëqenien duke i dhënë fund tranzicionit.

“Edhe 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë zhvillimit punësimit mirëqenies dhe integrimit në familjen europiane. Ju keni marrë një vendim shumë të rëndësishëm. T’i japim së bashku fund tranzicionit shqiptar dhe të hapim një faqe të re të historisë moderne të Shqipërisë të mundësojmë që më të mirët e të ndershmit të drejtojnë fatet e vendit se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për punë nder e ndryshim rrënjësor”.

Basha theksoi se së pari duhet të ndalojmë varfërinë dhe shpopullimin e vendit, duke ndalur ata që zhvasin pasuritë dhe vrasin shpresën.

https://a2news.com/2021/03/25/pd-cel-fushaten-acka-te-ndreqim-demokracine-ndryshe-shkojme-ne-diktature/

“Më shumë se kurrë duhet të vendosim krenarinë tonë kombëtare se duhet të ndalojmë një orë e më parë këtë varfërim e zbrasje që po i ndodh Shqipërisë. Nënat e motrat tona nuk duhet të kërrusen nga dhimbja që shkakton braktisja e vatrës së familjes. Shqipëria ka qenë kryelartë dhe ne jemi sot si përgjigje për të ndalur dorën që zhvatin pasurinë, vret shpresën e shqiptarëve dhe kërkon të mbjellë frikën te bashkatdhetarët tanë. Është një rrugëtim i vështirë për ne e kryejmë me përgjegjësi se jemi të vetëdijshëm se puna jonë është përkushtim e sakrificë për vendin, shqiptarët e kombin. Se po shkulim e çrrënjosim një kastë dhe një të keqe që ka vendosur të pasurohet. Po luftojmë kundër një grushti njerëzish. Janë gati të bëjnë gjithçka për karriget e tyre”.

Atyre që u ka humbur besimi se ky vend mund të bëhet, Basha u thotë se shqiptarët meritojnë më shumë. Sipas tij në çdo cep të Shqipërisë ku ka shkuar, të gjithë duan ndryshimin

“Po zhvillojmë një betejë kundër vetes. Shumëkujt i ka humbur besimi dhe shumëkush mendon se ky vend nuk ndryshon. Për të gjithë këta unë pyes a është kjo që ne meritojmë a është papunësia  e mjerimi, largimi i rinisë ajo që meritojmë? A është ky fati i shkruar për secilin prej nesh? Jo. Nuk ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Ky vend meriton më shumë shqiptarët meritojnë më shumë. Ne jemi këtu se shqiptarët meritojnë më shumë dhe do bëjmë shumë më shumë për njëri- tjetrin dhe Shqipërinë. Kam shkuar në çdo cep të Shqipërisë, kam ndjerë etje për ndryshim kam prekur me duart e mia shpresën, kam folur e shpjeguar se gjërat mund të shkojnë më mirë dhe kam njoftuar se ndryshimi po vjen, se Shqipëria do të ndryshojë. Kam lexuar në sytë tuaj një nxitje e forcë të papërsëritshme, frymëzim për të ecur përpara. Shqiptarët më kanë thënë jemi gati për një ndryshim të madh, por na hiqni këtë peshë që kemi mbi supe këta qeveritarë që vetëm na zhvasin, që duan të na vrasin shpresën dhe ne të gjithë do t’ia heqim popullit këtë barrë të rëndë, do çlirojmë energji dhe oksigjen për çdo shqiptar”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen për ndryshimin, ndërsa atyre që kërkojnë të largohen u tha që të qëndrojnë për të luftuar me të. Ndërsa detyra madhore e tij është futja e Shqipërisë në BE.

“Thirrja ime është për ty që kërkon mundësi për të ikur nga ky vend; Mos ik qëndro lufto me mua, lufto me ne. Ky vend mund të bëhet dhe ti do ta ndërtosh jetën tënde këtu. Detyra ime e parë madhore është futja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Bashkohuni për ndryshimin. Unë kam nevojë për ndihmën tuaj. Pa ju, planet më serioze shndërrohen në pluhur.  Të qëndrojmë bashkë, të bindim këdo, se po punojmë për të sjellë ndryshim të thellë. Bashkë për ndryshim, Shqipëria fiton. Kam nevojë për ju, për ndihmën dhe forcën tuaj. Bashkohuni në përpjekjet e fundit për ndryshim. I nderuar për misionin e lartë që më keni besuar. Së bashku do të fitojmë, Shqipëria do të fitojë”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani