Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB ERDOGAN frame 0 1100x620

Siguracioni i detyrueshëm i automjeteve, diskutohet në komisionet parlamentare

Në komisionin për veprimtaritë prodhuese diskutohen sot ndryshimet në Kodin Rrugor që kanë për synim ta përafrojnë me atë të BE-së. Çështja më sensitive mbetet gjobitja nëse të mbaron sigurimi i detyrueshëm. Shoqata e Siguruesve kërkon gjoba automatike brenda 30 ditëve. Por në këtë pikë del kundër drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, sipas të cilit nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë dakordësi mes palëve në lidhje me këtë çështje. Gjobitja automatike e qytetarëve nuk është një hap në interes të tyre.

Situata me pandeminë, Maqedonia e Veriut shtrëngon masat

Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut njofton sot masat e reja shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit në vend, nisur nga shtimi i rasteve të reja, pavarësisht orës policore të vendosur rreth 3 javë më parë. Megjithatë, nga Ministria e Shëndetësisë konfirmuan se izolim gjatë fundjavës nuk pritet të ketë. Kjo mbledhje pritej që në fillim të javës, por u shty pasi ministri Felipçe njoftoi zgjatjen e afatit të orës policore.

Zhvlerësimi i Lirës, Erdogan thirrje turqve: Investoni valutën dhe arin tuaj

Shkarkimi nga puna i guvernatorit të bankës turke nga presidenti Erdogan solli edhe një dëm të madh në ekonominë e vendit, pasi lira turke u zhvlerësua me 20 për qind. Për t’i dhënë përgjigje kësaj situate, Erdogan përdori popullin, të cilit i kërkoi që të investonte në vend të gjithë valutën e huaj dhe arin që zotëron. “Mos i besoni ata që thonë se ne jemi të mbaruar, se jemi mbytur apo se po vdesim. Ne do të qëndrojmë të fortë përballë tallazeve”, tha ai.

Pandemia koronavirus, Gjermania kërkon test negativ prej së dielës

Personat që udhëtojnë drejt Gjermanisë nuk do të kenë nevojë për një test negativ deri mesditën e së dielës, kur hyjnë në fuqi masat e reja që e kërkojnë domosdoshmërisht diçka të tillë. “Ky njoftim po bëhet tani në mënyrë që linjat ajrore dhe pasagjerët të kenë kohë për t’u përgatitur për kërkesën e re”, sqaroi Ministria e Shëndetësisë. Pavarësisht se në masa të kontrolluara, Gjermania po përpiqet të ndalojë atë që cilësohet vala e tretë e pandemisë në vend.

Ambicia e Biden: Duam të vaksinojmë 200 milionë amerikanë në 100 ditët e para

Presidenti amerikan, Joe Biden, i vuri vetes dje një tjetër sfidë të vështirë në kuadër të 100 ditëve të para të qeverisjes. “Unë e di që është cak ambicioz, dyfish më i madh sesa caku fillestar, mirëpo asnjë shtet në botë nuk është më afër”, tha Biden në konferencën me mediat, teksa premtoi 200 milionë të vaksinuar brenda këtij afati. “Pandemia ka prekur gjithashtu ekonominë dhe unë sot jam përkrah të papunëve që dua t’u them të mos humbin shpresat se ndihma po vjen”, shtoi ai.