“Fillimet e mia në futboll ishin të vështira, haja pilaf me krimba”

verissimo 600x338

Lucas Verissimo është një futbollist brazilian që po i bën vend vetes në futbollin evropian me paraqitjet e tij të mira në Portugali, me ekipin Benfica.

Edhe pse sot është titullar i padiskutueshëm i gjigantëve portugezë, qendërmbrojtësi nuk ka pasur një fillim të lehtë karriere. Mundësia e parë për t’u bërë futbollist profesionist i erdhi nga Escuela José Bonifácio, aty ku kushtet nuk ishin të mira.

“Kishim një dietë të tmerrshme. Hanim pilaf të skaduar, kishte raste të shpeshta që ishte edhe me krimba. Në fotot që kam të asaj periudhe, kam qenë shumë i dobët. Nuk i thoja gjë prindërve sepse më kthenin në shtëpi po ta merrnin vesh. Kisha ëndërr që të luaja për Santosin dhe mbylla gojën”, shprehet Verissimo për “Globoesporte”.

Pasi ra në sy talenti i tij, Santosi e mori në ekip dhe më pas e shiti për 6,5 milionë euro te Benfica. Që nga marsi i këtij viti, braziliani i ka luajtur të gjitha ndeshjet e kampionatit.

Sot, pjata e pilafit me krimba duket thjesht një ëndërr e keqe…