Fluksi i valutës, bien investimet, remitancat dhe të ardhurat nga turizmi

Burimet e hyrjes së valutës së huaj në ekonomi pësuan tkurrje gjatë vitit të kaluar, për shkak të pandemisë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja direkte ranë në 933 milionë euro, apo me rreth 146 milionë euro më pak krahasuar me 2019-n. Ndikimin më të madh në këtë rënie e dha industria nxjerrëse, konkretisht sektori i hidrokarbureve, ku investimet e planifikuara u shtynë për shkak të rënies globale të konsumit të naftës.

Turizmi ndërkohë është sektori që u prek më thellë nga kriza, duke bërë që turistët e huaj, kryesisht ata nga Kosova dhe rajoni, të shpenzojnë vetëm 980 milionë euro në vend. Kjo përkthehet në mbi 1 miliard euro të munguara krahasuar me 2019-n dhe përbën performancën më të dobët të së paku 13 viteve të fundit. Një rënie e cila gjithsesi u kompensua disi me reduktimin e shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit.

Së fundmi edhe dërgesat e emigrantëve drejt familjeve në Shqipëri ranë me rreth 29 milionë euro, në 673 milionë euro. Megjithatë rënia e remitancave qe e kufizuar në periudhën e karantinës dhe në gjysmën e dytë të vitit pati një rritje të fortë. Para të cilat në pjesën më të madhe ndihmuan familjet të përballojnë jetesën dhe rënien e të ardhurave.