Manastirliu: Nga e diela nisim vaksinimin masiv të popullsisë

WhatsApp Image 2021 03 26 at 12.03.22 1100x620

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manatirliu, gjatë ditës së sotme ka inspektuar kushtet e ruajtjes së vaksinave në Institutin e Shëndetit Publik, nga ku u shpreh se nga dita e diel do të nisë vaksinimi masiv i popullsisë.

“Nga dita e diel ne do të vijojmë vaksinimin masiv të grupmoshave +70 vjeç, duke organizuar gjithmonë punën me mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore kudo në vend. Ndërkohë që nga sot do të fillojë shpërndarja në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Drejtoresha e ISHP, prof. Albana Fico bëri me dije se të gjitha llojet e vaksinave ruhen në kushte optimale, pasi janë marrë masat për fuqizimin e kapaciteteve të zinxhirit ftohës.

“Kemi vërejtur që nuk ka pasur asnjë problematikë në transportin e vaksinës deri në momentin e shkarkimit. Siç erdhën dje menjëherë u bë procedura. Kjo është një praktikë e jona e zakonshme, por në këtë rast kemi verifikuar çdo dozë që është në atë frigorifer. Ka ardhur në kushte optimale dhe kjo është shumë shumë e rëndësishme. Siç e shikoni ajo që ne vlerësuam në fillim, kapacitetet e zinxhirit të ftohtë, ne e jetësuam tani dhe kemi të gjitha mundësitë që çdo lloj vaksine ta ruajmë në kushtet optimale”, tha Fico.

Duke folur për sigurinë e vaksinave të sapoardhura, Erida Nelaj, Përgjegjëse e Programit Kombëtar të Vaksinimit në ISHP tha se ato janë të sigurta dhe efektive.

“Është një vaksinë e sigurt. Është një vaksinë që ka marrë autorizimin e përdorimit në vendin e vet, gjithashtu dhe në 22 vende të tjera. Janë me miliona doza të administruara dhe nuk ka pasur asnjë lloj efekti anësor. Është shumë e ngjashme me vaksinat e gripit. Pra si praktikë, si teknologji ndryshon nga AstraZeneca dhe Pfizer, por është e ngjashme me atë të gripit, që është një teknologji e mirënjohur tashmë. Kështu që prandaj dhe kjo ka lehtësira. Kjo ka vaksinë ka aplikuar dhe te Organizata Botërore e Shëndetësisë për të marrë parakualifikimin”, tha Nelaj.

Vijon procesi i vaksinimit antiCOVID dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 59,348 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit. Dje kanë mbërritur 192 mijë doza të tjera vaksine, ndërkohë që objektivi është që të vaksinohen 500 mijë qytetarë deri në qershor.