Mbi 6 mijë punëtorë kanë humbur jetën në 10 vite, Gjermania në protestë kundër Katarit

gjermania 1100x620

Gjermania është skuadra më e fundit që i bashkohet protestës për të drejtat e njeriut kundër Katarit, vendit organizator të Botërorit 2022.

Përpara ndeshjes me Islandën, titullarët e hedhur në fushë nga Joachim Low rreshtuan krahë njëri-tjetrit dhe mbanin veshur bluza të zeza me nga një gërmë, të cilat formonin fjalën “Të drejtat e njeriut”. Një mesazh solidarizimi për emigrantët që kanë punuar për ndërtimin e stadiumeve në Katar.

Protesta e lojtarëve të Gjermanisë ishte vazhdim i asaj të përfaqësueses së Norvegjisë, futbollistët e së cilës shpalosën parullën “Të drejtat e njeriut brenda dhe jashtë fushës”. Sipas një raportimi të muajit shkurt nga gazeta “The Guardian”, rreth 6.500 punëtorë emigrantë kanë humbur jetën në vendin e Gadishullit Arabik, prej vitit 2010, momentit kur u fitua organizimi i Kupës së Botës.

Zemërimi publik u nxit nga reagimi i qeverisë së Katarit, sipas të cilës “mesatarja e jetëve të humbura në komunitetin e punëtorëve emigrantë është brenda shifrave të pritura, duke mbajtur në konsidetarë numrin dhe demografinë e popullatës”.

Katari fitoi të drejtën e organizimit të eventit më të rëndësishëm të futbollit, pasi fitoi mes akuzave për favorizim e korrupsion, përballë kandidaturave të Shteteve të Bashkuara, Australisë, Koresë së Jugut dhe Japonisë. Ky do të jetë Botërori i parë në histori i organizuar në dimër, duke nisur më21 nëntor 2022, për të evituar temperaturat ekstreme të vendit.