Mësuesi iu tregon nxënësve karikatura të profetit, mbyllet shkolla në Britani

Një shkollë në Britani u detyrua të mbyllë dyert ditën e premte në Britaninë e Madhe për shkak të një proteste të një grupi myslimanësh, të cilët kërkojnë heqjen nga puna të një mësuesi i cili iu kishte treguar nxënësve disa karikatura të profetit Muhamed.

Drejtori i shkollës, duke iu frikësuar një përshkallëzimi të situatës, vendosi të kalojë mësimin online dhe thërriti roje sigurie për të monitoruar protestën. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën.

Edhe mësuesi që tregoi karikaturat e shumëpërfolura, një ish-lojtar regbie, që jeton pranë shkollës së Batley, është marrë në mbrojtje të rreptë nga policia. Emri i tij nuk bëhet me dije, por mësohet se është pezulluar nga detyra deri në sqarimin e ngjarjes.

Publikimi i karikaturave të profetit Muhamed është diçka që nuk pranohet nga besimtarët myslimanë, dhe për një ngjarje pothuajse të ngjashme në Francë një mësues u vra.