Vrasja e Klodian Rashës, dosja kalon në gjykim. Hajdaraj i kërkon falje babait të 25-vjeçarit

Gjykata e Tiranës kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të Nevaldo Hajdarajt. Ish-efektivi i forcave “Shqiponja” do të gjykohet për akuzën e “vrasjes me dashje” të 25-vjeçarit Klodian Rasha, ngjarje e ndodhur 8 dhjetorin e vitit të kaluar, në kryeqytet.  

I akuzuari Hajdaraj qëndroi kokulur në seancën ku ishte i pranishëm edhe babai i 25-vjeçarit të vrarë. A2 mësoi se gjatë seancës, ai i kërkoi ndjesë babait të Rashës, duke i thënë se nuk e kishte dëshiruar ngjarjen.

Përmes avokatit të tij, Hajdaraj kërkoi rikualifikim të akuzës nga “vrasje me dashje” në “vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”, kërkesë që u refuzua nga gjykata.

Njëkohësisht, ai kërkoi gjykim të shkurtuar, gjykim nga i cili përfiton uljen e një të tretës së dënimit, nëse shpallet fajtor. 

Pas ngjarjes, Hajdaraj pretendoi se kishte parë një armë në duart e Rashës mbrëmjen e ngjarjes. Por, pamjet e kamerave të sigurisë, që fiksuan gjithë ngjarjen, provuan të kundërtën. Sipas prokurorisë, Hajdaraj e kishte konstatuar që Rasha nuk kishte armë para se të hapte zjarr drejt tij.