LSI prezanton kandidatët, Kryemadhi: PS nuk ka mbajtur asnjë premtim për zonën e Belshit

Monika Kryemadhi gjatë prezantimit të kandidatëve për deputete te Belshit akuzoi qeverinë për gjendjen ekonomike të zonës.

“Nuk mendoj se njerëzit prej presionit do të mbajnë fëmijët e tyre në varfëri. Nuk mendoj se njerëzit në Belsh duhet të jetojnë me ndihmë ekonomike. Përkundrazi, ndihma ekonomike është marrje peng e së ardhmes,  jo vetëm e asaj familjeje, por edhe e fëmijëve. Nuk mendoj se njerëzit me një ndihmë ekonomike duhet të paguajnë dritat, ujin. Dhe që të marrësh ndihmën ekonomike nuk duhet të kesh televizor, hekur rrobash, nuk duhet të kesh sobë, nuk duhet të kesh asgjë.

Këtu në Belsh njerëzit nuk kanë nevojë për fasadën që bën Rilindja, sepse do bëjë projektet e saj tre dimensionale. Këtu njerëzit kanë nevojë për bukën, kanë nevojë për ushqim, kanë nevojë për ilaçe, kanë nevojë për shërbime, kanë nevojë për punë. Sot ne e dimë shumë mirë që faturat e Covidit janë faturat më të shtrenjta”.

Kryemadhi, edhe si kryesuese e qarkun te Elbasanit për LSI-në, u ka bërë thirrje qytetarëve të ndëshkojnë më votë Partinë Socialiste.

“Sot pas 8 viteve asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur. Jo vetëm në Belsh, por në të gjithë Shqipërinë. Nëse një nga këto premtime që është këtu në këtë fletëpalosje është mbajtur, nuk do t’ua kërkoj votën për LSI-në. Por do ua kërkoj sot të gjithë banorëve të Belshit dhe gjithë qytetarëve shqiptarë që na ndjekin, të votojnë atë parti që mban fjalën, atë parti që u përgjigjet njerëzve, atë parti që punon për të rinjtë dhe të rejat dhe të ndëshkojnë me votë ata që i kanë gënjyer dhe mashtruar. Të ndëshkojnë me votë ata që kërcënojnë fukarain me pamundësinë e tij. Të ndëshkojnë me votë çdo institucion, çdo shtet që i mban në rresht dhe i terrorizon familjet e varfra, të sëmurët që kanë nevojë për kemp dhe këdo tjetër. Arkivi më i mirë është tek populli sesa tek shteti, sepse shteti i zhduk gjurmët. Ndërsa populli është ai që nuk i zhduk dot”.