Meta mesazh ngushëllimi për Arjan Salën: Vetëflijimi i tij të na shërbejë për të ndërtuar një shtet më njerëzor

Presidenti Ilir Meta i ka shprehur ngushëllimet familjes së të 32-vjeçarit Arjan Sala, i cili u nxorr mëngjesin e sotëm nga magazina në periferi të kryeqytetit, ku u bllokua pasi shpëtoi jetën e 25 kolegëve të tij. Duke e cilësuar hero, kreu i shtetit shprehet se “Arjan Sala hyri në zemrat tona për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane”.

Vetëflijimi i tij, thotë Meta, duhet të na shërbejë për të ndërtuar një shtet më njerëzor, më të dhembshur, më social dhe më reagues.

Postimi i presidentit Meta:

ARJAN SALA, HEROI YNË!

Shumë dhembje, mirënjohje e respekt të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm, që në kushte shumë të vështira, me ndjenjën e lartë të përmbushjes së detyrës, shpëtoi jetën e shumë qytetarëve duke qenë i ndërgjegjshëm se po humbte jetën e tij.

Me sakrificën sublime, Arjan Sala hyri në zemrat tona për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane.

Mbi vetëflijimin e Tij uroj të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur, më social dhe më reagues, që nuk i braktis njerëzit në nevojë në momentet më të vështira, por që mendon për ta dhe i respekton me përulësi çdo ditë Heronjtë e thjeshtë e të heshtur dhe sakrificat e tyre në shërbim të komunitetit.

Ngushëllimet më të ndjera familjes!

Lutemi që shpirti i Heroit tonë Arjan Sala të prehet në paqen e merituar!”,

Më pas presidenti Ilir Meta vizitoi dhe familjen e të ndjerit.