Kantina që do t’ju paguajë 10 000 dollarë në muaj dhe qiranë e banesës për një vit

Një kompani e prodhimit të verës në Sonoma, Kaliforni, ka njoftuar hapjen e një vendi të lirë pune, për një periudhë njëvjeçare. Ndërmarrja “Murphy-Goode Winery”, tha se fatlumët që do të fitojnë këtë pozicion, jo vetëm që do të shpërblehen me një pagë të majme, prej 10 000 dollarësh në muaj, por do të transferohen në Kaliforni, për të jetuar atje pa qira për një vit.

Në muajt e parë, kompania do të mbikëqyrë punën e punonjësit për të kuptuar se në cilat procese konkrete të prodhimit të verës ata janë më të interesuar. Detyra kryesore për punonjësit do të jetë fillimisht përvetësimi i njohurive për kultivimin e vreshtave, mandej proceset e prodhimit të verës dhe shumë prej sekreteve të kësaj industrie.

Kompania, e themeluar më 1985, ka punuar gjithmonë me reklamimin e punës së saj, sidomos tashmë nëpër rrjetet e ndryshme sociale. Ky vit, si për çdo kompani tjetër, u shoqërua me sfida të shumta, si rezultat i pandemisë dhe ndaj “Murphy-Goode Winery” vendosi që të realizojë një fushatë të tillë për të tërhequr vëmendjen e të gjithë të pasionuarve pas verës.  

Kantina mirëpret këdo mbi moshën 21-vjeçare, të autorizuar për të punuar në Shtetet e Bashkuara. Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet duke vlerësuar kreativitetin e tyre, përvojën dhe mbi të gjitha dashurinë që ata kanë për verën.