Kosova pret vaksinën, mbërrijnë sot dozat e para të AstraZeneca

KOSOVA VAKSINAT frame 1484 1100x620

Mbërrijnë të dielën në Kosovë dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit.  Siç thuhet në një njoftim të kryeministrisë, kontingjenti i parë i vaksinave të kompanisë AstraZeneca, do të mbërritje në aeroportin “Adem Jashari” në orën 20:15 të mbrëmjes.

Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit, Albin Kurti, nuk tregohet sasia e dozave që do të arrijnë në Kosovë. Megjithatë, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte deklaruar se në mars do të arrinin 33.000 doza të vaksinës së AstraZenecas.

Vaksina e AstraZeneca dhe universitetit të Oksford thuhet se është 76 për qind e efektshme kundër Covid-19. Po ashtu Bashkimi Europian, ka premtuar se do t’i ofrojë Kosovës e vendeve të tjera të rajonit vaksina.

Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër koronavirusit. Autoritetet tashmë kanë hartuar një plan të imunizimit, të ndarë në tri faza, ku fillimisht pritet të vaksinohen punonjësit e shëndetësisë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.