Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Brazili vatër botërore, Meksika rishikon bilancin e viktimave, rritet me 60%

Nga A2 CNN
29 Mars 2021, 16:18 | Bota
Brazili vatër botërore, Meksika rishikon bilancin e viktimave, rritet

Brazili konfirmohet vatër botërore e pandemisë koronavirus. Në 3 ditët e fundit, në përmbyllje të javës më të zezë që prej shfaqjes së Covid-19, shteti i Amerikës Latine ka raportuar mbi 8700 jetë të humbura, për një total prej mbi 312 mijë viktima.

I lartë mbetet dhe numri i rasteve të reja, ndërsa as masat kufizuese dhe as vaksinimi nuk po shërben për ngadalësimin e transmetimit. Përballë kësaj situate qytete të ndryshme po zbatojnë izolime 10-ditore.

 “Është periudha më e vështirë për ne. Nuk kam shkarkuar asnjë dhe aktualisht kam shumë vështirësi të mbështes veten me fondet rezervë. Nuk do të kemi punë gjatë festave pasi dyqani do jetë i mbyllur”, u shpreh Jose Domingos, pronar dyqani.

Situatë jo e mirë edhe në Meksikë. Bilanci i jetëve të humbura nga Covid-19 në këtë shtet u rrit me 60% pas një rishikimi të të dhënave. Kjo e çoi numrin total të viktimave në mbi 321 mijë, duke e renditur Meksikën si shtetin e dytë me bilancin më të rëndë nga pandemia koronavirus, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Është shumë e trishtë të shohësh shumë të rinj e të moshuar që po vdesin. Mendoj se është një bekim nga Zoti të kemi këto vaksina. Kjo është doza ime e dytë dhe lutem që e gjitha të përfundojë mirë”, thekson Yolanda Santos Chavez, shtetase e Meksikës.

Sa i përket situatës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo duket e qëndrueshme, por autoritetet shëndetësore janë të shqetësuara për shtimin e rasteve të reja. Përveç varianteve të reja, ekspertët paralajmërojnë se lehtësimi i parakohshëm i masave dhe sjellja e shfrenuar e qytetarëve po ndikojnë në këtë drejtim. Pozitive duket ecuria e fushatës së vaksinimit dhe deri më tani janë administruar rreth 143 milionë doza, sipas të dhënave zyrtare.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani