Dalin në shitje “atletet e djallit”, me gjak njeriu

Këngëtari amerikan Lil Nas X ka hedhur në treg “atletet e djallit”, në të cilat është vendosur gjak njeriu, por edhe dekoruar me simbole si kryqi i përmbysur dhe pentagrami i djallit.

Atletet janë bërë nga një bashkëpunim mes këngëtarit dhe kompanisë amerikane artistike MSCHF, duke përdorur atlete Nike Air Max 97. Por kompania e prodhimit të veshjeve sportive është distancuar nga dizajni, që ka shkaktuar shumë reagime mes grupeve konservatore.

Në secilën prej atleteve, të pagëzuar “666”, ka 60 centimetra kub bojë të kuqe dhe “një pikë” gjak njeriu, sipas MSCHF. Çmimi i këpucëve sportive është vendosur 1018 dollarë, si referencë e vargjeve 10:18 në ungjillin sipas Lukës, ku thuhet: “Pashë djallin të bjerë nga qielli si një rrufe”. Një zëdhënës i MSCHF tha se gjaku ishte i pjesëtarëve të kompanisë. “Na pëlqen shumë të flijohemi për artin tonë”.

Dy prej kritikuesve më të ashpër të atleteve ishin Guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem dhe pastori ungjillor Mark Burns, i cili i quajtur “herezi”.