Do të vëzhgojë zgjedhjet, Gacek në “Absolut 4” flet për sfidat kryesore të misionit: Do të vijnë dhe eurodeputetë

gacek 1100x620

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Absolut 4” në A2 kryesuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek, e cila është në krye të 24 vëzhguesve afatgjatë, foli edhe për sfidat kryesore në këtë fushatë zgjedhore.

“Sigurisht, koronavirusi ka ndikuar çdo gjë që kemi bërë kudo nëpër botë gjatë vitit të shkuar, përfshi edhe misionet e fundit të vëzhgimit të zgjedhjeve. Ndryshon po ashtu mënyrën se si drejtohen fushatat zgjedhore. Përbën një ndryshim të madh, në fakt. Roli i medias, i medieve shoqërore, do të jetë shumë më i rëndësishëm kur mundësitë për mitingje janë më të kufizuara. Edhe ne jemi detyruar të ndryshojmë disa nga formatet tona.  Siç thatë, kemi më shumë se një javë këtu, me një ekip prej 13 ekspertësh ndërkombëtarë. Të premten sollëm edhe 24 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të ndahen në skuadra me dy persona në çdo qark të Shqipërisë. Por shpresonim të sillnim edhe 250 nga vëzhguesit tanë afatshkurtër, pak përpara ditës së zgjedhjeve. Fatkeqësisht, për shkak të kufizimeve në vendet e tyre, jo në Shqipëri, ka gjasa që ashtu si me misionet e tjera gjatë vitit të shkuar, do të na duhet të heqim dorë nga kjo pjesë e misionit. Na është dashur ta ndryshojmë pak formatin, por jam optimiste që do të japim një raport të mirë e gjithëpërfshirës për ju”, u shpreh Gacek.

Gacek u shpreh më tej se do të vijnë vëzhgues edhe deputetë europianë. “Disa prej tyre do të vijnë. Kemi marrë që tani konfirmimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, pjesë  të cilës është dhe Shqipëria. Di që do të vijnë nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së.  Nuk kam informacion për NATO-n. Dhe Parlamenti Europian, që shpesh dërgon parlamentarët e vet europianë, vjet nuk kanë qenë të angazhuar në misione. Nuk e di nëse do të jenë me ne. Por parlamentarët që do të vijnë do të na bashkohen në mision dhe do të përdorim mbështetjen e burimet e tyre për të plotësuar raportin”.