Harry Kane, bomberi që i ka “fiksim” shqiptarët

kane harry shqiperi 1100x620

Nga shqiptarët e Kosovës, te shqiptarët në Arenën Kombëtare. Dashur pa dashur, jemi kthyer në një komb tejet të dashur për kapitenin dhe bomberin e “Tre Luanëve”, Harry Kane.

Me golin që i hapi rrugën fitores 2-0 të Anglisë në Tiranë, sulmuesi i dha fund shterpësisë që zgjaste prej 496 ditësh me përfaqësuesen. Goli i fundit që Kane kishte realizuar në ndeshjet ndërkombëtare, ishte ai i nëntorit 2019, në portën e Kosovës. Pas asaj përballjeje me “Dardanët”, në kualifikueset e Euro 2020, ylli i Tottenham nuk kishte arritur më të gjente rrugën e rrjetës.

Me devijimin e saktë me kokë, pas rikthimit në fushë me Anglinë, Kane realizoi rrjetën e 33-të në 52 ndeshje me përfaqësuesen. Sikur kjo të mos mjaftonte, ai u frenua edhe nga traversa në pjesën e parë, ndërsa ishte vendimtar në golin e dytë, duke dhënë asistin për Mason Mount.

Duelet me Shqipërinë janë gjithmonë të rëndësishme për Harry Kane, edhe për një fakt tejet interesant. Sulmuesi ka shënuar në portën e kuqezinjve edhe në tetor të vitit 2010, në fitoren 6-1, kur debutoi me përfaqësuesen e 19-vjeçarëve të Anglisë. Golashënuesi më i mirë i Botërorit 2018, ku Anglia arriti deri në gjysmëfinalet e turneut, shpreson tashmë të jetë vendimtar për skuadrën e Gareth Southgate drejt kualifikueseve të Katar 2022, por edhe në finalet e Euro 2020, të cilat u shtynë prej pandemisë dhe do të luhen gjatë kësaj vere.