“Hëngra miqtë e mi të vdekur për të mbijetuar”

Jose Luis ‘Coche’ Inciarte duroi 72 ditë në Ande pas një aksidenti të tmerrshëm me avion. 27 persona që i shpëtuan vdekjes, u përpoqën që të mbijetojnë në një vend të izoluar, pasi operacioni i kërkim-shpëtimit u pezullua.

Vetë i mbijetuari tregon momentet para aksidentit në librin “Kujtime nga Andet”: “Po shkonim në Santiago të Kilit, kur pati turbulenca të forta dhe ndjeva aeroplanin që po zbriste me shpejtësi drejt malit. Dëgjova një zhurmë të fortë, ndërkohë që kisha futur kokën mes këmbëve dhe kisha mbyllur sytë, i bindur se do të vdisja në moshën 24-vjeçare. Ndjeva erën e ftohtë dhe dëborën, ndërkohë që aeroplani po rrëshqiste në mal”.

Jose tregon se ai pati vetëm një dëmtim të lehtë në gju, ndërkohë që ata që ishin në pjesën e pasme të avionit nuk kishin pasur aq fat.

Por, të kaloje natën në dëborë nuk ishte aspak e lehtë.

“U mblodhëm pranë njëri-tjetrit dhe u munduam të mos flinim. Kontakti fizik na mbajti gjallë. Në mëngjes, ngritëm një mur me valixhe që të na mbronte nga i ftohti. Nisëm të raciononim ushqimin në pritje të ndihmës, por, pas 10 ditësh, dëgjuam në radio lajmin e tmerrshëm që operacioni i kërkim-shpëtimit ishte pezulluar”, kujton Jose.

Ky ishte momenti kur të mbijetuarit nisën të mendonin të pamendueshmen: të hanin mishin e ngrirë të miqve që kishin vdekur.

“Na kishte mbaruar ushqimi dhe nisëm të diskutonim gjerë e gjatë se çfarë do të bënim për të ngrënë. Ne i mbijetuam aksidentit ajror, por po shkonim drejt vdekjes së sigurt në mal. Disa prej nesh thanë se nëse do të vdisnin, do ishin të lumtur nëse trupin e tyre do ta konsumonim. Kështu vendosëm që të hanim mish njeriu, por nuk është kaq e lehtë. Mendja duhet ta detyrojë trupin ta bësh këtë gjë. Mua nuk më hapej goja dhe mezi e çoja poshtë. Haja minimumin e mundshëm pasi më vinte neveri nga vetja. Por, në fund, triumfoi instinkti i mbijetesës”, shprehet Jose Luis ‘Coche’ Inciarte.

I mbijetuari thotë se humbi 45 kg gjatë 72 ditëve në Ande.

“Dy shokë vendosën të kalonin malin në këmbë dhe të kërkonin ndihmë në Kili. E kaluan pas 10 ditësh, ishte një mrekulli. Në 22 dhjetor dëgjuam helikopterët dhe zhurma e tyre është gjëja më e bukur që kam dëgjuar në jetë. Në atë mal unë kam parë më të mirën e shpirtit njerëzor, si luftuam për njëri-tjetrin në rrethana aspak të favorshme. Aty mësova se të japësh është çelësi i lumturisë. Edhe pse nuk kishim gjë në mes të dëborës, dhamë gjithçka për njëri-tjetrin dhe jam krenar për këtë”.

Nga 27 personat që i mbijetuan aksidentit, vetëm 16 u shpëtuan në fund, pasi një ortek i mori jetën edhe 11 të tjerëve.

  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: 71 pacientë në spitale, 7 në terapi intensive, asnjë në intubim
  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste