Kolegji Zgjedhor shfuqizon vendimin e KAS, PD me 153 kandidatë në listë

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor vendosi pranimin e padisë së Partisë Socialiste dhe shfuqizimin e vendimit të KAS në lidhje me listat e PD-së. Në bazë të këtij vendimi Partia Demokratike do të ketë 153 kandidatë në listën për zgjedhjet e 25 prillit.

PD kishte paraqitur dokumentacionin me 222 kandidatë në listë, por që u hodh poshtë nga KQZ, duke miratuar 153 kandidatë. Përfaqësuesi i PS Eridian Salianji tha se KAS ka shkelur parimet e Kodit Zgjedhor, pasi numri i lartë i kandidatëve sjell problematika në garë dhe në procesin zgjedhor.

“PD bëri korrigjimet përkatëse në lidhje me plotësimin e dokumentacionit ligjor, por paraqiti listë me 222 kandidatë. KQZ, bazuar në Kodin Zgjedhor vendosi t’i miratojë listën, por jo me 222, por me 153 kandidatë. Vendimi u ankimua në KAS, me argumentin se lista duhej pranuar e plotë. KAS duke lejuar që një koalicion të garojë me më shumë kandidatë se tjetri ka shkelur parimet e Kodit Zgjedhor. Numri i lartë sjell problematika në garë, por edhe në procesin zgjedhor.

Cenohet parimi i listave të hapura. Kjo për shkak se lista pa numra fiks do sillte vështirësi në llogaritjen e herësit.

KAS nuk arsyeton se përse i është cenuar interesi PD. Vendimi i KQZ e ka vendosur PD të barabartë me palët e tjera.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i KAS shprehet se do të kishim shkelje nëse nuk do ishin respektuar kuotat gjinore nëse numri i kandidatëve do të ishte më i vogël se numri i mandateve.

“Do të ishim para shkeljes në listë nëse nuk do ishin respektuar kuotat gjinore, apo nëse numri i kandidatëve do të ishte më i vogël se numri i mandateve”.

Për përfaqësuesin demokrat Ivi Kaso, koalicioni i PD-së paraqiti listat referuar legjislacionit, duke respektuar të gjitha aspektet procedurale

“Koalicioni i PD-së paraqiti listat referuar legjislacionit. Kemi respektuar të gjitha aspektet procedurale. Paraqitëm listë me 222 kandidatura, në përputhje me numrin minimal të parashikuar në ligj, si edhe të plotpjesëtueshëm me tre. Numrin e kandidaturave të paraqitura prej nesh nuk e shohim si problematike për fletën e votimit. Limiti i sipërm i kandidaturave është çështje vetëpërmbajtjeje dhe vetëpërgjegjshmërie.”