Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Najada Çomo tregon se çfarë të rejash do të sjellë në politikë, nëse zgjidhet deputete

Nga A2 CNN
29 Mars 2021, 09:16 | Politikë
Najada Çomo tregon se çfarë të rejash do të

“Politikëbërja për mua nuk do të jetë profesion, por një mision për më të mirën që një doktor do të bëjë në këtë pjesë”. Kështu u shpreh kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Najada Çomo, kur u pyet në "Dita jonë" se çfarë do të sjellë ajo në politikë, nëse zgjidhet deputete. Sipas saj, sfidë e momentit është pandemia dhe lajm i madh është ardhja e vaksinave, por nëse zgjidhet deputete, shprehet se do të ngrejë zërin për çështje të rëndësishme.

“Unë akoma vazhdoj sfidën për të korrur fitoren finale për përfundimin e pacientit të fundit me Covid. Do të vazhdoj të jem në punë. Pandemia nuk ka mbaruar, por drita jeshile që unë kam parë ka qenë ardhja e vaksinës për ne; është lajm i madh për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe mbërritja e vaksinën në popullatë besoj është një lajm shumë i rëndësishëm për pandeminë, popullatën. Përjetimi më i madh vazhdon të jetë aty ku jam. Unë nuk e gjykoj që politikëbërja për mua do jetë profesion, por një mision për më të mirën që do të bëjë një doktor në këtë pjesë. Unë nuk do të vendos për shumë gjëra, por do të ngre zërin tim për atë pjesë që e gjykoj më optimale. Nuk e kam menduar shumë këtë pjesë. Detyrë e madhe sot është shpëtimi i jetëve nga pandemia”.

E dyta në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, doktoreshë Najada Çomo, konfirmoi se vendimi për t’i thënë po kërkesës së kryeministrit Rama, ka qenë i shpejtë, pa pasur kohë për t’u menduar gjatë, por thotë se ka marrë një vendim të mirë. Këtë e bazon edhe te mbështetja e madhe e njerëzve për kandidimin, ndërsa thekson se vazhdon të jetë në detyrë.

“Vendimi ka qenë i shpejtë se edhe kërkesa nga kryeministri dhe kreu i PS-së ishte e shpejtë. Nuk pata kohë për t’u menduar dhe bëra mirë që nuk u mendova se kam marrë një vendim të mirë. Unë përfaqësoj një nga ata. Nëpërmjet mesazheve e telefonatave pjesa më  e madhe e njerëzve kanë qenë pozitivë për kandidimin tim. Unë jam në detyrë 100%, unë jam në detyrë që nga dita kur thashë po për kandidate në kuvend, me disa përjashtime të vogla”.

Teksa nuk kursen vlerësimet për kryeministrin Rama, për të cilin thotë se nuk njihej më parë, Çomo e vlerëson atë edhe për mënyrën e menaxhimit të pandemisë. Ajo hedh poshtë zërat për fshehje të viktimave të koronavirusit dhe thekson se këto janë atakime politike jo të bazuara.

 “Kam konsideratë të madhe për kryeministrin, nuk e njoh personalisht e kam takuar 3 herë online në takimet zyrtare. Asnjëherë nuk e kam takuar më parë, por mënyra si ka menaxhuar pandeminë. Nuk ka pandemi që mund të menaxhohet pa suportin e shtetit. Dhe menaxhimi i pandemisë ka qenë në nivele shumë të mira dhe një menaxhim pandemie ku ne kemi pasur suportin e madh jo vetëm veprimet, por edhe atë moral dhe kanë qenë elemente të rëndësishme që unë thashë po. Për t'u përgatitur për pandeminë patëm një muaj e gjysmë kohë, koha ishte e shkurtër, por tregoi se unë si anëtare e Task Forcës them se vendimet e marra kanë qenë korrekte se treguan që pandemia po menaxhohet shumë mirë. Veprimet që u bënë nga qeveria e ministri i Shëndetësisë ishin të ideuara nga Komiteti i Ekspertëve. Ne kemi dhënë maksimumin tonë ditë e natë për t’i shërbyer pacientëve, për të bërë ekzaminime në kohë rekord. Unë gjykoj që është menaxhuar në mënyrë korrekte, në kushte spitali unë nuk merrem me komentet që fshihen vdekjet, se vdekjet nuk fshihen dot, jo çdo vdekje është baras Covid, por dominon pjesa e Covid. Nëse ka fshehje të shifrave është atakim politik, jo shkencor”.

Çomo theksoi gjithashtu se me nisjen e vaksinimit në vend masat nuk do të ashpërsohen, por Shqipëria do të ketë situatë të mirë të turizmit dhe kjo kupton lirinë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë