Ndarja nga jeta e Bashkim Finos, reagon Meta: Të tronditur. Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë

meta 18 1100x620

Për ndarjen nga jeta të deputetit socialist, Bashkim Fino, ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta. Në një postim në rrjetet sociale ai shprehet i tronditur për humbjen e politikanit, që u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare si pasojë e Covid-19.

“Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes.

Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë!

Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!”, shkruan presidenti.

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të deputetit socialist, Bashkim Fino, ka shprehur edhe ish-presidenti Bujar Nishani. Ai shprehet se “pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike, të gjithë ndihemi të pikëlluar”.

“Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve të ish-Kryeministrit Bashkim Fino !

Pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike që i përkasim, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuar për shtetin, për vendin, për Shqipërinë tonë, janë parimet më sublime. Kur këto parime humbasin dikë, të gjithë ndihemi të pikëlluar.

Pusho në paqe tashmë, Bashkim!”