Nga misioni i vëzhgimit për zgjedhje, te shitblerja e votës, Ursula Gacek intervistë për “Absolut 4”

Kryesuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek, në një intervistë ekskluzive për Absolut 4 foli për strategjinë e misionit të ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit.

Intervista e plotë

Gacek: Shumë falemnderit për ftesën. Është kënaqësi të jesh këtu dhe që t’ju tregoj se pse kemi një mision në Shqipëri për të 15-ën herë.

A2: Le të fillojmë me pyetjen e parë. Keni kaluar disa ditë tashmë në Shqipëri. Jeni me një grup ekspertësh. Fillimisht jeni në krye të 24 vëzhguesve afatgjatë. Cilat janë sfidat kryesore me të cilat duhet të përballeni gjatë fushatës zgjedhore, e cila sapo ka nisur, zyrtarisht. Çfarë mund të presim në raportin paraprak?

Gacek:  Sigurisht, koronavirusi ka ndikuar çdo gjë që kemi bërë kudo nëpër botë gjatë vitit të shkuar, përfshi edhe misionet e fundit të vëzhgimit të zgjedhjeve. Ndryshon po ashtu mënyrën se si drejtohen fushatat zgjedhore. Përbën një ndryshim të madh, në fakt. Roli i medias, i medieve shoqërore, do të jetë shumë më i rëndësishëm kur mundësitë për mitingje janë më të kufizuara. Edhe ne jemi detyruar të ndryshojmë disa nga formatet tona.  Siç thatë, kemi më shumë se një javë këtu, me një ekip prej 13 ekspertësh ndërkombëtarë. Të premten sollëm edhe 24 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të ndahen në skuadra me dy persona në çdo qark të Shqipërisë. Por shpresonim të sillnim edhe 250 nga vëzhguesit tanë afatshkurtër, pak përpara ditës së zgjedhjeve. Fatkeqësisht, për shkak të kufizimeve në vendet e tyre, jo në Shqipëri, ka gjasa që ashtu si me misionet e tjera gjatë vitit të shkuar, do të na duhet të heqim dorë nga kjo pjesë e misionit. Na është dashur ta ndryshojmë pak formatin, por jam optimiste që do të japim një raport të mirë e gjithëpërfshirës për ju.

A2: Që të jemi të qartë. Do t’i kemi 250 vëzhguesit, apo jo?

Gacek: Jo.

A2: Po misionet e tjera? Asambleja e OSBE-së? Këshilli i Europës. NATO. Më parë kanë ardhur dhe ata në proceset e monitorimit. Do të vijnë dhe ata, apo jo?

Gacek: Disa prej tyre do të vijnë. Kemi marrë që tani konfirmimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, pjesë  të cilës është dhe Shqipëria. Di që do të vijnë nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së.  Nuk kam informacion për NATO-n. Dhe Parlamenti Europian, që shpesh dërgon parlamentarët e vet europianë, vjet nuk kanë qenë të angazhuar në misione. Nuk e di nëse do të jenë me ne. Por parlamentarët që do të vijnë do të na bashkohen në mision dhe do të përdorim mbështetjen e burimet e tyre për të plotësuar raportin.

A2: Keni një shifër për numrin e vëzhguesve që mund të kemi nga ODIHR?

Gacek: Do të keni 13 në ekipin bazë dhe 24 vëzhguesit afatgjatë. Ky është misioni i plotë i ODIHR-it për të vëzhguar zgjedhjet.

A2: Po në lidhje me ditën e votimit, jeni në dijeni?

Gacek: Do të jenë vëzhguesit e Parlamentit Europian që do të na japin mbështetje. Por s’do të kemi vëzhguesit tonë afatshkurtër, siç thashë, për shkak të masave kufizuese të KOVID. Por ne drejtuam një mision shumë të madh në SHBA dhe arritëm të përpilojmë një raport shumë të mirë e gjithëpërfshirës, në SHBA, me një ekip jo shumë më të madh. Pra, është e mundur.

A2: Që nga viti 2017, blerja e votave është kthyer në një rekomandim kryesor për OSBE-në, si çështje që duhet adresuar me urgjencë. Mes rekomandimeve është dhe ruajtja e fshehtësisë së votës, presioni ndaj administratës publike dhe përdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës. Duke lexuar raportin e vlerësimit të nevojave të ODIHR-it, vumë re se ju kanë rekomanduar që të jeni vigjilentë sidomos gjatë fushatës, para ditës së zgjedhjeve. Si do ta realizoni këtë? Sepse janë çështje që shfaqin më shumë interes dhe për shqiptarët.

Gacek: Ju tregova pak se si ky mision është ndryshe nga ç’prisnim, ndryshe nga ç’kemi pasur vitet e shkuara. Por ne sapo e nisëm fushatën. Nisi të enjten dhe të premten. Dhe ne kemi qenë këtu që përpara se të fillonte fushata zyrtarisht. Dikush mund të pyesë se ç’bëjnë në vend pesë javë para zgjedhjeve? Pikërisht që të ndjekim disa prej këtyre çështjeve. Shqipëria nuk është e vetmja që i ka. Si po përdoren burimet shtetërore, është diçka që e përdorim në çdo vend. Është i njëjti standard, e njëjta metodologji. Sigurisht, disa probleme bien më shumë në sy në disa vende se të tjerat. Prandaj kemi raportin e vlerësimit të nevojave. Ai përqendrohet në këto fusha që janë veçanërisht problematike, siç kemi parë në të shkuarën. Por nuk paragjykojmë. S’e dimë ç’do të shohim këtë herë. Praktika si blerja e votës janë më të vështirat për t’u identifikuar. Sepse janë veprimtari kriminale. Sigurisht, nuk na sjell njeri prova të verifikueshme. Por do të kemi sy dhe veshë në qarqe. Është shumë e rëndësishme për vëzhguesit afatgjatë që të vendosen larg qendrave të mëdha urbane. Duam të jemi në zonat e vogla rurale, në fshatra e periferi. Këta vëzhgues kanë shumë përvojë. E kuptojnë qartë kur praktikat nuk përputhen me standardet ndërkombëtare.

A2: Pra, keni ku të referoheni për këto çështje. Ku mendoni se janë zonat më të nxehta, me ç’keni parë. Apo me ç’ju kanë thënë. Çfarë keni vënë re deri tani? Përdorimi i grupeve kriminale në disa zona të Shqipërisë është i njohur. Prandaj kemi ligjin e dekriminilazimit në parlament dhe në administratën publike. Kemi pasur shumë presion për zbatimin e këtij ligji nga ambasadorët në Shqipëri, nga SHBA dhe BE.

Gacek: Ligji i dekriminalizimit nuk është diçka e re për këto zgjedhje. Po vëzhgojmë procesin e regjistrimit të kandidatëve. E dimë që ka pasur dyshime për 15 raste, dhe janë dërguar për verifikim në prokurori nga komisioneri. Po e vëzhgojmë të gjithë procesin. Por kemi diçka të re në këto zgjedhje. Nuk mund të themi nëse duhet të jetë me lista të hapura apo të mbyllura. Të dyja janë të pranueshme për standardet tona. Por Shqipëria ka lista të hapura, për herë të parë. Kjo do të thotë që nëse zgjedh partinë që përfaqëson bindjet ideologjike, më pas mund të zgjedhësh kandidatin. Njerëzit nëpër rrethe i njohin mirë kandidatët. Them se kjo veçori duhet të japë më shumë besim, sepse nëse dikush mendon se ky person s’do të jetë kandidat i mirë, tani kanë mundësinë të zgjedhin pikërisht kandidatin që duan. Është një mundësi zgjedhjeje më shumë për votuesit.

A2: Ky është mesazhi për votuesit.

Gacek: Votuesit i njohin kandidatët që janë në rrethin e tyre. Kjo e bën procesin më transparent, procesin demokratik. Sigurisht që do të jetë sfidë për votuesit, sepse për herë të parë do të kenë një format të ri. Më parë ka qenë shumë e thjeshtë. Tani do të kenë një broshurë me shumë emra. Do të shohim dhe se si po shkon programi për edukimin e votuesit. Sepse është e rëndësishme që njerëzit të mos bëjnë gabime. Ta dinë se si ta hedhin votën siç duhet nga ana teknike.

A2: Çfarë përshtypjesh keni krijuar nga takimet me përfaqësuesit e partive politike, ose dhe për rolin e presidentit Ilir Meta.

Gacek: Ne kontaktojmë me të gjitha partitë politike. Edhe më të voglat. Për shkak dhe të detyrave të tjera që kam këtu, unë takohem dhe me partitë kryesore, dhe këto takime kanë nisur që të premten. Këtë javë do të kem një sërë takimesh. Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët e interesuara… presidenti në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Ai është zgjedhur në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Ka një mandat. Por është palë e rëndësishme, si garantues i Kushtetutës. Kemi folur dhe me zyrën e tij. Shpresojmë të takohemi me të dhe me përfaqësuesit e tij. Ata flasin shumë hapur dhe lirshëm me ne. Por duke respektuar edhe mirëbesimin. Duhet ta dinë që mund të flasin lirshëm me ne për shqetësimet që kanë. Unë kam qenë politikane, ndaj e kuptoj se si mendojnë politikanët. Sigurisht, janë në mes të fushatës, ndaj janë tepër të zënë. Përveç meje dhe analistëve të mi politikë, që do të takohemi me krerët e shabeve të fushatave, me drejtuesit e partive këtu në Tiranë, do të jenë dhe 12 ekipet në rrethe që do të dalin në terren, do të ndjekin veprimtaritë zgjedhore, do të takojnë organizatat vendore të partive. Duam të krijojmë një ide të qartë. Dhe për sa u përket shqetësimeve të tyre, ata duhet ta dinë që kanë dikë kujt t’ua adresojnë. Neve na takon ta shohim atë informacion me imtësi. Sigurisht, secili ka pikëpamjet e veta, të gjithë kanë një farë njëanshmërie. Detyra jonë është të shohim thelbin e të vërtetës, ku janë në të vërtetë faktet dhe provat.

A2: Siç thatë më parë, keni përvojën e zgjedhjeve në SHBA. E shihni dhe në Shqipëri mundësinë që partitë politike të mos pranojnë rezultatin e zgjedhjeve?

Gacek: S’kam parë zgjedhje ku të mos kundërshtohet rezultati. Kam qenë vetë pjesë e disa zgjedhjeve. Çdo zgjedhje ka kundërshtime të forta. Njerëzit e marrin me shumë pasion. Kandidatët e marrin me shumë pasion, zgjedhësit po ashtu. Ajo që kemi vënë re përgjithësisht, në shkallë ndërkombëtare, ka qenë një rënie e standardit të gjuhës së përdorur. Për shkak se njerëzit kanë më shumë mundësi të komentojnë në rrjete shoqërore, për shembull, shohim rritje të gjuhës që shkon përtej asaj që quhet e pranueshme në debatin politik. Por kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Kemi një element për monitorimin e medieve në misionin tonë, ndaj do të shohim se sa hapësirë mediatike do të kenë të gjithë kandidatët dhe partitë. Nëse dhe gazetarët si ju do të kenë tone asnjëanëse, pozitive apo negative. Por, me sa të mundemi, do të mbajmë shënim shkeljet e mëdha të standardeve, për sa i përket retorikës së shëmtuar. Sidomos kur sulmohet ndonjë pakicë, apo dikush sepse është grua. Këto gjëra i komentojmë në raporte. S’po them që do t’i shohim në Shqipëri. Po them që në të gjithë botën kemi parë prirje që të ashpërsohet gjuha në fushatë, të jetë më përçarëse. Siç thashë, duke shkuar pak përtej të pranueshmes. Gjëra që nuk ndodhin në studio të tilla, por kryesisht në rrjete shoqërore.

A2: Duke qenë ish-politikane, çfarë sugjerimi keni për median? Ne kemi një ligj që daton nga viti 2003. Ai kapitull i kodit zgjedhor është shumë i vjetër. Duke parë se si është zhvilluar media, se si kanë ndryshuar fushatat e partive politike me rrjetet shoqërore. Pra, ka ndryshim të madh që nga viti 2003. Mund të jetë e vështirë për median tradicionale.

Gacek: Siç thashë, kemi elementin e medias. Pas zgjedhjeve, kur të shkruajmë raportin përfundimtar, që publikohet dy-tri muaj pasi largohemi nga vendi, nëse shohim që ka boshllëqe në ligjet në lidhje me median dhe rolin e tyre në zgjedhje, do të bëjmë rekomandimet e duhura. Por është ende herët për të thënë se çfarë do të shohim. Por kemi bashkëpunim të ngushtë. Kemi takuar vazhdimisht entet rregullatore.  Sigurisht, media ka rol shumë të rëndësishëm. Siç thashë në fillim, për shkak se do të ketë më pak mitingje, më pak takime ballë për ballë, roli i medias do të jetë më i madh se kurrë më parë.

A2: Edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e kemi në një formë të re. Me tri shkallë dhe më pas me Kolegjin Zgjedhor. Keni folur me ta? Kanë shprehur shqetësime për mënyrën se si do të zbatojnë ligjin, se si do ta menaxhojnë procesin? Fushatën dhe procesin e votimit.

Gacek: Është gjithnjë pjesë e takimeve të mia të para. Vizita e parë është me Ministrinë e Jashtme, pasi, ministria e jashtme në rastin e Shqipërisë është zyrtarisht ajo që na mirëpret këtu. Kemi ardhur me ftesë të qeverisë shqiptare. Vizita e dytë është gjithnjë me KQZ-në, nëse ka një të tillë. Dhe Shqipëria e ka. Na ndihmon shumë. Kemi caktuar pika kontakti, sepse ka shumë çështje me të cilat kemi të bëjmë. Edukimin e zgjedhësve, identifikimet biometrike, shumë gjëra të reja që po marrin zhvillim për KQZ. Ndaj, analistët ligjorë dhe specialistët e zgjedhjeve, specialistët e teknologjive të reja të votimeve, tani kanë njerëzit me të cilët kontaktojnë. Dhe kontaktojnë pothuajse çdo ditë me përfaqësues të KQZ-së. Sigurisht, është sfidë e madhe për ta të zbatojnë sistemet e reja, metodat e reja të votimit, dhe të sigurohen që çdo gjë do të funksionojë mirë ditën e zgjedhjeve. Nuk jemi si këshilltarë, por thjesht si vëzhgues. Nuk ndërhyjmë në asnjë lloj forme me procesin. E vëzhgojmë. Dhe e vetmja mënyrë që ta bëjmë është të jemi në komision, por edhe në rrethe. Sepse atje do ta shohim punën. Si janë përgatitur komisionerët në rrethe. I kanë të gjitha materialet që u duhen? Është diçka që po e ndjekim me shumë kujdes në ditët e ardhshme të zgjedhjeve.

A2: Ka një kohë specifike se kur mund të dalë raporti paraprak i ODIHR-it?

Gacek: Kemi një kohë standarde për këtë. Raporti paraprak në të cilin përgatisim një deklaratë paraprake, në bashkëpunim me parlamentarët që na bashkohen – pra, është deklaratë e përbashkët. Kjo bëhet publike gjithnjë një ditë pas zgjedhjeve. Do të mbajmë një konferencë për shtyp një ditë pas zgjedhjeve. Por puna jonë nuk do të mbarojë aty. Do të shohim se sa do të vazhdojë numërimi. Sepse numërimi do të jetë më kompleks. Ndoshta do të dimë se si kanë dalë partitë. Mund të mos dimë se cili kandidat individual e ka fituar një mandat. Por do të vazhdojmë të qëndrojmë deri më 7 maj. Pse do të rrimë dhe disa javë pas zgjedhjeve? Sepse procesi vazhdon. Dikush mund të thotë që ka pasur shkelje. Do të kenë të drejtën e apelit. Do të ketë raste në gjyq. Do të shohim se si do të dalë  para se të ikim. Ndonjëherë i ndjekim gjërat nga larg nëse nuk janë zgjidhur ende gjërat kur kemi ikur. Por kur hartojmë raportin përfundimtar, zakonisht çdo gjë është e përmbyllur. Dhe politikanët kanë nisur të mendojnë tashmë për zgjedhjet e radhës.

A2: Po përpara ditës së zgjedhjeve? Do të kemi një raport?

Gacek: Po, do të keni diçka para ditës së zgjedhjeve. Quhet raport i përkohshëm. Por s’ka përfundime. Shiheni kështu. Do të tregojë se ku janë zonat me vëmendje të madhe. Pastaj kemi një deklaratë paraprake, që na jep një ide të qartë të asaj që ka ndodhur deri në ditën e zgjedhjeve dhe gjatë saj. Por me kuptimin që për shkak të pranisë së kufizuar nuk do të kemi një përmbledhje me domethënie të madhe statistikore për sa i përket votimit, numërimit dhe plotësimit të materialeve zgjedhore. Në atë pikë do të jetë diçka jo-zyrtare. Raporti përfundimtar do të ketë rekomandimet. Do të jenë tri raporte të ndryshme, secili me një funksion më vete. Sigurisht, të gjithë duan të dinë se çfarë mendojmë për zgjedhjet. Por nuk themi kurrë se çfarë mendojmë pa mbledhur informacionin e mjaftueshëm. Vijmë me mendje të hapur. E dimë se ç’ka ndodhur në të shkuarën, por të gjitha zgjedhjet janë diçka e re. Janë unike. Prandaj, në fillim vëzhgojmë, pastaj raportojmë, dhe në fund rekomandojmë.

A2: Si eksperte e monitorimit të zgjedhjeve dhe si ish-politikane, keni një mesazh përfundimtar për shqiptarët?

Gacek: Votoni! Kaq. Përdorni të drejtën demokratike. Është gjëja më e rëndësishme. Është kryesorja. Sigurisht, ka shumë palë të interesuara. Por kur njerëzit më pyesin nëse keni dikë që e mbështesni, për të cilin shpresoni të fitojë në zgjedhje. Mbështetja është gjithnjë për votuesit. Mesazhi im është të dalin e të votojnë. Të përdorin të drejtën demokratike. E njoh historinë e Shqipërisë. Jam polake. Dhe ne kemi pasur diktaturë komuniste. Nuk i afrohej për nga ashpërsia asaj që keni pasur ju në Shqipëri. Është shumë mirë që keni një demokraci. Shpresojmë që zgjedhjet të jenë sa më të mira, dhe që votuesit të dalin e ta shfrytëzojnë mirë votën e tyre.

A2: Zgjedhje të lira e të drejta.

Gacek: Atë shpresojmë.

A2: Nuk i kemi pasur në 30 vite demokraci.

Gacek: Është mendimi juaj, por nuk i keni pasur para viteve ‘90. Për atë kohë mund të jem dakord.

A2: Falemnderit për intervistën, ambasadorja Gacek. Ju uroj sukses për detyrën tepër të rëndësishme.

Gacek: Falemnderit për interesimin. Presim t’ju shohim në konferenca shtypi kur të kemi diçka për të thënë në lidhje me atë që kemi parë në Shqipëri. Por më 26 prill.

A2: Do të jemi patjetër aty. Falemnderit.

Gacek: Ishte kënaqësi.