Tomini shpjegon në A2 procedurën e vaksinimit masiv: Ulim shtrimet në spital dhe numrin e viktimave

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, në një lidhje direkte me “Dita jonë” në A2 sqaroi se si bëhet njoftimi i personave që do të marrin vaksinën, tani që në vendin tonë nisi vaksinimi masiv.

“Komunikimi vjen nga mjeku i familjes dhe ai të orienton ku të shkosh. Dje kemi pasur raste që kanë ardhur edhe pa lajmërimin e mjekut. Sigurisht që nuk janë kthyer. Por, orientimi bëhet nga mjeku i familjes mbi kriteret dhe procedurat e vaksinës”, u shpreh Tomini.

Sipas saj, “fakti që nisi një vaksinim masiv është i kënaqshëm për të gjithë. Ky proces do të shtojë imunizimin dhe do të eliminojë format e rënda të sëmundjes, shtrimet në spital dhe numrin e viktimave. Vaksina nuk mbron 100%, por ndihmon në arritjen e këtyre 3 objektivave”.

“Aktualisht, kemi kryer mbi 70 000 vaksina që nga janari. Fillimi ishte me sasi shumë të ulët të vaksinave, sot po vijohet me fashën 80+ në të gjitha qendrat shëndetësore. Në pikat masive vijon fasha 70-79. I gjithë imunizimi i kësaj fashe do të bëhet me dozat aktuale”, theksoi zv.ministrja e Shëndetësisë.

Kur u pyet se kush nuk rekomandohet që ta bëjë vaksinën, Tomini radhiti këto kategori: “Gratë shtatzëna, individët që kanë emboli të çfarëdolloj kategorie, ata që kanë probleme epilepsie dhe ata me forma neurologjike të ndryshme”.