A kanë mjete e duhura zjarrfikësit? Debati i ngritur pas vdekjes së Arjan Salës

Arjan Sala vrapoi drejt flakëve për të shpëtuar kolegët e tij. Këto janë pamjet kur ai kërkon për ndihmën e parë të emergjencës, por pa lejuar që shokët e tij të afroheshin drejt vatrës së zjarrit. E gjithë ngjarja ndodhi në një dinamikë mjaft të tensionuar dhe me një fund tragjik për 32-vjeçarin.

Trupi i tij u nxorr pas 60 orësh që nga momenti kur u bllokua në magazinën e qendrës tregtare. Familjarët akuzuan sistemin e emergjencave se zjarrfikësit punuan pa mjetet e përshtatshme. Të njëjtin shqetësim ngre edhe kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajrami.

“Korridori për hyrjen në magazinë ishte me temperatura relativisht të larta. Në atë rast, duhen veshje të tjera nga ato që ne përdorim sot. Nuk kemi kamera termike, çdo stacion duhet të ketë kamera termike”, theksoi Bajrami.

Sipas drejtorit të zjarrfikëseve të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, operacioni u krye me mjetet e duhura dhe në një kohë më të shpejtë sesa u parashikua: “Kemi ngritur grup pune për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ditën e djeshme analizuam të gjithë operacionin që u zhvillua. Automjeti ynë i parë ishte pas 6 minutash dhe më shpejt se aq nuk ka mundësi të shkojë. Sipas meje, ishte një situatë e menaxhuar shumë mirë. Kemi aparatura që na lejojnë ne të futemi në ambiente me çdo lloj temperature”.

Prej muajit janar, zjarrfikësit kanë problem edhe me pagat. 5000-7000 lekë janë shkurtuar nga llogaritë e tyre për shkak të një VKM-je. Tërmeti i 26 nëntorit tregoi rëndësinë që kanë grupet e emergjencës dhe të shpëtimit. Megjithëse ka pasur përmirësime dhe donacione nga vende të ndryshme të Europës në mjete mbrojtëse dhe flota të reja, sërish zjarrëfikësit janë të pakënaqur me kushtet e punës dhe trajtimin që u bëhet.