“Absolut 4”: Ligje me porosi

vurmo 2 1100x620

Raporti i TI, Hoxhaj: Ligjet tona janë të mira, por shqetësuese janë hapësirat ligjore

Andi Hoxhaj, nga University of Warwick, School of Law, foli në Absolut 4 ku u diskutua për raportin e fundit të përgatitur nga Transparency International, i quajtur “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri: Një shqyrtim i rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ligjeve të bëra me porosi 2008-2020”.

Hoxhaj u shpreh se kapja e shtetit nuk është një fenomen vetëm i vendeve me demokraci hibride, por edhe ai atyre më të zhvilluara. “Nuk është një problem vetëm i vendeve të pazhvilluara, ndodh edhe në shtete të tjera. Ka tendenca për kapjen e arsimit edhe në Poloni së fundmi. Problemi është se në Shqipëri, me demokraci hibride është më i hapur si problem. Por edhe Bullgaria dhe Rumani ka probleme në lidhje me sistemin gjyqësor, i cili është i korruptuar dhe deri diku i kapur”.

Më tej, Hoxhaj theksoi se ligjet në Shqipëri janë të mira, por problemi qëndron te nën ligjet. “Legjislacionet tona janë të mira, por shqetësues janë nën ligjet. Këto praktika janë për t’u parë. Duhet të shikohet që ligjet të mos shtyhen shumë shpejt në parlament”.

Raporti i TI, Sulstarova: Rastet u analizuan në bazë të tre kritereve të Transparence International

Rovena Sulstarova, menaxhere e Programit për Qeverisjen IDM komentoi në “Absolut 4” raportin e përgatitur nga Transparency International, që thotë se Shqipëria është vend me nivel të lartë korrupsioni.

Sipas Sulstarovës ka një database të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë në vend që përfshijnë hapësirën kohore 2008-2020. Ajo thekson se në këto raste përfshihen politikanë apo gjyqtarë, ka gjithashtu raste të kapjes së shtetit nga zyrtarë të lartë dhe kompani private si dhe raste të zvarritura apo të pandëshkuara në gjyqësor.

“Kemi një database të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë në vend që përfshijnë hapësirën kohore 2008-2020.

Natyra e të gjithë rasteve të përzgjedhura dhe të analizuara nga ne ndjekin në mënyrë rigoroze zbatimin e tre kritereve shumë të rëndësishme të përcaktuara nga metodologjia e komunikuar nga Transparence International.

Pra kemi përfshirjen e zyrtarëve të lartë publik si politikanë ose gjyqtarë, të cilët janë përfshirë në skema korrupsioni duke pasur parasysh përdorimin apo keqadministrimin e pronës publike përmes mjeteve korruptive në dëm të interesit publik dhe për interesa private.

Gjithashtu kemi raste të kapjes së shtetit, që kanë të bëjnë me ndërthurjen e organeve private me publike. Janë këto mjete klienteliste që janë krijuar mes zyrtarë të nivelit të lartë dhe në disa raste na dalin të afërm të tyre dhe kompanive private, të cilët mund të jenë krijuar nga në lidhje miqësore, ose lidhje të tjera, të cilët kanë gjithmonë në qendër përdorimin e skemave korruptive për të shfrytëzuar një shërbim publik osë një funksion publik në interes të tyre.

E treat përfshin raste të cilat janë të lidhura me gjyqësorin. Raste që për shkak të problematikave ose mangësive, kanë bërë të mundur Zvarritjen e procedimeve ose aplikimet e dënimeve shumë të lehta që kanë garantuar pandëshkueshmërinë e tyre.”, u shpreh Sulstarova.

Ligjet me porosi, Vurmo: Raporti i bazuar dhe tek mediat investigative, sfidë pasi nuk ka literaturë

Gjergji Vurmo nga IDM Albania ishte i ftuar në “Absolut 4” për të folur në lidhje me raportin e fundit të Transparency International në bashkëpunim me IDM për çështjen e ligjeve me porosi në Shqipëri dhe korrupsionin në nivelet e larta.

Vurmo shpjegoi se raporti është përgatitur në bazë të hulumtimeve të IDM, informacioneve zyrtare si dhe mediat investigative si Birn Albania, Monitor, etj.

Një sfidë që ishte hasur gjatë përpilimit të këtij raporti sipas Vurmos ishte dhe fakti se për ligjet me porosi nuk ka literaturë pasi është një çështje e re në diskursin akademik.

“Bashkëpunimi me Transparency International erdhi në një kontekst shumë normal të zhvillimit të marrëdhënieve me IDM. Kemi pasur dhe disa bashkëpunime të mëparshme lidhur me studime të ndryshme. Ky studim është në kuadër të një projekti hulumtues me fondet e BE që përfshinë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Deri më sot janë bërë publike gjetjet për Shqipërinë dhe Serbinë. Besoj se brenda pak ditësh do të publikohen dhe raportet për vendet e tjera. Sfida ishte shumë e madhe në lidhje me ligjet me porosi. Jo aq shumë sa për rastet e korrupsionit.

Ne e kemi thënë në raport që jemi bazuar përveç punës hulumtuese dhe informacioneve shtetërore dhe në një pjesë nga mediat investigative. Birn ka mbuluar pjesën më të madhe të korrupsionit lart apo dhe ligjeve me porosi. Sfida tek pjesa e ligjeve me porosi qëndronte dhe tek fakti që nuk ka literaturë jo vetëm të hulumtimit të zbatuar, por nuk ka as literaturë akademike për të krahasuar qasjen, modelet. Ligjet me porosi janë një çështje krejt e re në diskursin akademik dhe më gjerë”, shpjegoi Vurmo.

Vurmo iu përgjigjet kritikave për raportin e TI: Të hapur për sugjerime por u morën me jetën personale të autorëve

Gjergji Vurmo nga IDM Albania komentoi në “Absolut 4”, edhe mbi kritikat për raportin e fundit të Transparency International, të kryer në bashkëpunim me IDM për çështjen e ligjeve me porosi në Shqipëri dhe korrupsionin në nivelet e larta.

Vurmo shpjegoi se i mirëpresin kritikat por sulmeve të disa mediave nuk iu japin rëndësi pasi merren me jetën personale të autorëve dhe jo me argumenta dhe metodologjinë e përdorur për hulumtimin

“Unë do të doja të mos përgjigjesha në fakt sepse nuk dua t’u jap rëndësinë që nuk e kanë. Unë do të kisha dashur shumë, do ta ëndërroja si hulumtues që të isha unë autori i asaj metodologjie, që ai shkrim e quan amataroske, Por nuk jam unë, është në fakt Transparence International (TI).

Ai shkrim vë në dyshim po ashtu edhe faktin se pas atij raporti qëndron IDM dhe jo TI, duke pretenduar se faqja e TI nuk e kishte publikuar raportin. Ndërkohë nuk është ashtu, Transparancy International e ka publikuar raportin në faqen e vet.

Ajo që më bën të them që sulmeve të tilla nuk duhet tu japim rëndësinë që nuk e kanë është fakti që në atë shkrim se merren me jetën personale të autorëve sesa me argumenta.

Cilido hulumtues që është serioz në punën e vet i mirëpret komentet dhe kritikat. Çdo hulumtim serioz në fund të metodologjisë ka edhe një seksion që elaboron kufizimet e një metodologjie. Çdo metodologji ka kufizimet e veta. Në këtë kuptim jemi mëse të hapur për kritika, për sugjerime si  të përmirësojmë punën tonë por në asnjë gërmë të atij shkrimi nuk vura re një gjë të tillë.”. shprehet Vrumo.