Aguero largohet nga Manchester City në fund të sezonit

aguero 600x338

Nëse ka pasur ndonjëherë duel titulli më të pabesueshëm, ku skuadrat kanë mbajtur frymën deri në sekondën e fundit të ndeshjes së fundit të kampionatit, ai është padyshim viti 2012, kur goli i Sergio Aguero në limite të shtesës, përballë Queens Park Rangers, ngrinte peshë një tifozeri të tërë dhe i rrëmbente Premier League-n nga duart Manchester United.

Pas një dekade të lavdishme, Aguero do t’i japë lamtumirën qytetarëve, ndërsa është vetë klubi që ka njoftuar ndarjen me yllin argjentinas në fund të këtij sezoni, atëherë kur përfundon dhe kontrata e tij. 32-vjeçari ka vendosur të nisë një aventurë të re, destinacioni i së cilës nuk dihet ende, por shumë gjigantë të Evropës janë gati të joshin argjentinasin për ta bërë pjesë të tyre.

“Kun” Aguero mbërriti në Mançester nga Atletico Madrid, në vitin 2011, dhe prej asaj kohe shkroi historinë e “Citizens”, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për këtë klub, me 257 gola në 384 ndeshje. Aguero ia doli të fitojë 4 tituj kampion në 10 vjet, një FA Cup, 5 trofe të Kupës së Ligës dhe 3 tituj të Community Shield.

Sezoni i fundit për sulmuesin e Manchester City-t u karakterizua nga disa dëmtime, por edhe infektimi nga Covid-19, duke e lënë jashtë për pjesën më të madhe të kohës. Sergio Aguero i ka lënë pas tashmë shqetësimet dhe është rikthyer për të dhënë maksimumin deri në fund të sezonit, sikurse bën me dije edhe vetë në një postim në rrjetet sociale.

Klubi i City ka vendosur ta nderojë legjendën e tyre me një statujë pranë stadiumit “Etihad”, sikurse është bërë në të kaluarën me futbollistë si David Silva apo Vincent Kompany.