Formacioni fitues ndaj Andorrës, për 3 pikë në San Marino

Shqipëria do t’i kthehet rreshtimit 3-5-2 për ndeshjen e kësaj të mërkure në San Marino. Në sfidën e fundit kualifikuese për muajin mars, trajneri Edy Reja pritet të propozojë një skuadër thuajse të ngjashme me atë që fitoi në Andorra, në debutimin e Botërorit 2022.

Sipas planeve të trajnerit, ndryshimi më i madh mund të vijë në portë, ku pas dy ndeshjeve, kapiteni Berisha pritet t’i lejë vendin Strakoshës. Gjithsesi, kualiteti mes shtyllave mbetet i garantuar.

Në mbrojtje, mungesa e Kumbullës do të bëjë që Veseli të plotësojë treshen me Ismajlin dhe Gjimshitin.

Në mesfushë, Laçi pritet të marrë vendin e Gjasulës së pezulluar, përkrah Bares dhe Memushajt, ndërsa Hysaj e Lenjani do të veprojnë nga krahët, ku një alternativë është edhe Albi Doka. Me Shqipërinë të detyruar të luajë në sulm, shumëçka do të varet nga Cikalleshi e Manaj, me këtë të fundit që është në balotazh me Brojën.

Për fitoren e dytë në këto kualifikuese, trajneri Reja pritet të mos i kursejë të preferuarit e tij, edhe pse prej kalendarit të ngjeshur dhe alternativave në dispozicion, nuk përjashtohen ndryshime në çdo repart.

Në këtë mënyrë, Ajeti e Hoxhallari në mbrojtje, por edhe Ramadani, Kallaku, e ndoshta edhe Roshi, mund të synojnë ta nisin ndeshjen si titullarë.