Historia e San Marinos, rivali më i dobët që shkruajti historinë në Ligën e Kombeve

san marino 1100x620

Një shtet brenda shtetit. Me vetëm 61,2 km2 dhe 33 600 banorë, në territorin lindor të Italisë, San Marino është shteti i pestë më i vogël në botë. Me të tilla përmasa, edhe pse kombëtarja e futbollit e ka luajtur ndeshjen e parë zyrtare në vitin 1990, ata mbeten skuadra më e dobët në botë.

Të pozicionuar në vendin e fundit të renditjes së FIFA-s (210), në 171 ndeshje zyrtare të luajtura në total, San Marino ka regjistruar 7 rezultate pozitive, ku fitorja e vetme në histori është ajo e 28 prillit 2004, në miqësoren përballë Lihtenshtejnit.

Vitin e kaluar, kundërshtari më i dobët në histori shkruajti historinë në futboll. Më 14 nëntor 2020, barazimi 0-0 ndaj Gjibraltarit në Ligën e Kombeve u shoqërua me skena emocionuese dhe lot për futbollistët e San Marinos. Përfaqësuesja modeste vendosi një rekord, duke mos humbur dy ndeshje me radhë në turnetë zyrtarë, pasi më përpara kishin barazuar pa gola me Lihtenshtejnin.

Edhe pse gjithkujt mund t’i bëjë përshtypje, arritja ishte e madhe. Ekipi i kishte humbur 40 ndeshjet e mëparshme, ndërsa në histori ka pësuar afro 740 gola, duke shënuar vetëm 24 herë. Futbollistët e San Marinos janë kryesisht amatorë, të cilët gjatë ditës punojnë si bankierë, dentistë apo llogaritarë. Ata stërviten së bashku vetëm një herë në javë.

Përballja me San Marinon do të jetë e para për Shqipërinë në ndeshjet zyrtare. Dy miqësoret e luajtura në vitin 2006 dhe 2014, janë fituar me rezultatin 3-0 nga kuqezinjtë. Për t’u theksuar është edhe fakti se në kualifikueset e Kupës së Botës, San Marino nuk regjistron rezultat pozitiv prej barazimit 1-1 ndaj Letonisë në vitin 2001, ndërsa në vitin 2014 ata barazuan pa gola përballë Estonisë, në kualifikueset e Euro 2016.