Liderët botërorë, një traktat global për mbrojtjen nga pandemitë e reja

Kryeministri Boris Johnson iu bashkua më shumë se 20 liderëve botërorë që kërkojnë një marrëveshje të re globale që do të ndihmonte botën të përgatitej për pandeminë e ardhshme.

Në një shkrim të përbashkët të publikuar në gazeta të ndryshme rreth globit, udhëheqësit, përfshirë presidentin francez Emanuel Macron dhe kancelaren Angela Merkel, pohojnë se Covid-19 ka qenë sfida me e rëndë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Një pandemi ose krizë e re shëndetësore, sipas tyre, është thjesht çështje kohe. 24 liderët theksojnë se nevojitet një traktat i ngjashëm me atë që u arrit në prag të Luftës së Dytë Botërore, për të mundësuar bashkëpunim ndërkufitar. 

Firmëtarët, mes të cilëve edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se do të ketë pandemi dhe kriza të tjera të mëdha shëndetësore. Asnjë qeveri apo agjenci multilaterale nuk mund të adresojë e vetme këtë kërcënim. Pyetja nuk është më, nëse do të ndodhë, por kur do të ndodhë. Pandemia e Covid-19 ishte një kujtesë e dhimbshme se askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt.

Liderët thonë se shtetet duhet të bëhen bashkë, për të qenë më mirë të përgatitur në parashikimin, parandalimin, evidentimin dhe vlerësimin e përgjigjeve të përshtatshme ndaj pandemisë, në mënyrë të koordinuar.

 Një traktat i ri, sipas tyre, do të ndihmojë në krijimin e sistemeve më të mira për të paralajmëruar qytetarët mbi pandemitë të mundshme, duke përmirësuar në të njëjtën kohë shpërndarjen e të dhënave, vaksinave dhe pajisjeve mbrojtëse.