Meta kthen ligjin për vettingu-n në Polici: Bie ndesh me Kushtetutën, cenon sigurinë juridike

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në kuvend për rishqyrtim ligjin për vettingu-n në Polici. Në arsyetimin e tij, kreu i shtetit thekson se ndryshimi për herë të tretë i këtij ligji në dy vite bëhet për qëllime politike për presion e shantazh ndaj trupës policore.

“Presidenti i Republikës, duke vlerësuar përmbajtjen e të tri ligjeve ndryshuese, të vitit 2019, 2020, 2021, dhe mospërmbushjes së objektivave të parashikuara në ligjin bazë nr. 12/2018, evidenton se është pikërisht vullneti politik i mazhorancës për ta mbajtur këtë proces të hapur pambarimisht për të pasur një mekanizëm presioni, intimidimi dhe shantazhi përkundrejt trupës policore, qëllimi real i ndryshimeve kaq të shpeshta në këtë ligj, pasi ligji bazë nr. 12/2018, është vlerësuar si një nismë pozitive”, shprehet presidenti.

Sipas kreut të shtetit kjo bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, cenon parimin e sigurisë juridike, parimet dhe standardet e vendosura

“Me ligjin bazë nr. 12/2018, pasi përmes ndryshimeve të njëpasnjëshme Kuvendi vijon të heqë një e nga një garancitë për një proces kaq të rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, çka konfirmon të gjitha dyshimet se ky proces nuk do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë kështu edhe një hap tjetër pas, në raport me standardet e ligjit bazë nr. 12/2018”.

Një ndër argumentat e kthimit të këtij ligji, Meta thekson edhe shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve.

“Kam vendosur që ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, për argumentet e renditura në mënyrë më të detajuar, si më poshtë vijon: objekt shqyrtimi, është propozuar, prezantuar dhe shqyrtuar në kushte kur vullneti i organit ligjvënës provohet se ka qenë fiktiv dhe i paracaktuar/diktuar nga qeveria, duke shkelur kështu parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7, i Kushtetutës së Shqipërisë”.

Sipas tij është e pakuptimtë dhe e papranueshme që ky projektligj është nismë e deputetëve, nga përfaqësuesit e qeverisë, çka fakton që  Shqipëria ka humbur parlamentarizmin dhe Kuvendi është kthyer në noter të qeverisë.

“Mjafton ky fakt për të provuar edhe një herë se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm, dhe ku ky i fundit (Kuvendi) ka humbur krejtësisht rolin mbikëqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit.

Kjo situatë, fakton edhe një herë se Republika e Shqipërisë ndodhet në një situatë ku parlamentarizmi ka humbur rolin e tij. Kuvendi i Shqipërisë është kthyer realisht në një noter të qeverisë, që njehson vullnetin e kësaj të fundit dhe ku parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve i parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës, jo vetëm që nuk ekziston midis ekzekutivit dhe parlamentit, por këto dy organe në veprimtarinë e tyre kanë humbur seriozitetin për t`u kujdesur, qoftë dhe në dukje, për respektimin e këtij parimi”.