Raporti i “TI”, Topalli: Nuk presim raportet e të huajve për të kuptuar se kemi shtet të korruptuar

Jozefina Topalli, kryetarja e “Lëvizjes për Ndryshim”, në studion e “Ditari” në A2, komentoi raportin e “Transparency International”, duke thënë se nuk pret raportet ndërkombëtare për të ditur se “shteti ynë është i kapur nga korrupsioni dhe ligjet bëhen me porosi”.

“Duhet të shporrim klasën politike të korruptuar, të lidhur me krimin, që mendon vetëm për agjendat ekonomike personale. Raporti pasqyron realitetin politik dhe ekonomik të vendit tonë dhe kjo është arsyeja pse shqiptarët largohen. Ka 3 përgjegjës për situatën aktuale: Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha. Vetëm vota mund të ndëshkojë klasën e korruptuar”, deklaroi Topalli.

“Tre kryetarët e partive bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, pasi kanë frikë se vjen momenti kur ata duhet të bëjnë transparencë për pasuritë e tyre dhe duhet të japin llogari. Ata kanë një kod të fshehtë marrëveshjeje, pasi po iku njëri, ikin të tre. Njerëzit duhet të mos zgjedhin më atë që quhet e keqja më e paktë”, shtoi Topalli.

Sipas Topallit, asnjë nga tre partitë kryesore nuk formon dot qeverinë e vetme. Kështu që, me votat për Lëvizjen për Ndryshim, “ne i japim mundësi të djathtës për të larguar Edi Ramën, për të zgjedhur një kryeministër të pakorruptuar, në këtë mënyrë largojmë edhe Lulzim Bashën, dhe për të nisur një politikë si në çdo vend tjetër të qytetëruar”.