Spiropali: PS e kërkon votën me punë dhe jo me logo partie, LSI e bazon tek të fortët

Partia Socialiste synon të mbajë 74 mandate në zgjedhjet e 25 prillit. Këtë konfirmoi në studion e “Dita jonë”, drejtuesja e qarkut të Tiranës, Elisa Spiropali. Ajo tha se ky pretendim bazohet në punët e bëra dhe projektet e nisura, të cilat sipas Spiropalit duhet të çohen në fund në mandatin e tretë.

“Pretendimi ynë historik bazohet në të dhëna faktike dhe sondazhe. Nuk është pretendim i tepërt se rrotacioni duhet merituar dhe ne besojmë që kemi qeverisur në mënyrë të tillë që punët e bëra dhe projektet e ardhshme duhet të çohen deri në fund. Na duhet mandati i tretë. Ne do të fitojmë mbi 74 mandate dhe jo në emër të partisë, por si mjet për të përfunduar të gjitha punët e nisura”.

E pyetur se cila është arritja e qeverisë socialiste e barazvlefshme me qeverinë Berisha, si rruga e Kombit, hyrja në NATO, apo liberalizimi i vizave, Spiropali theksoi se vaksinimi masiv është një nga lajmet më të mira.

“Ne i kemi hapur rrugët Shqipërisë dhe investimi personal i kryeministrit Rama. Sot kemi nisur vaksinimin masiv. Vaksinimi i mësuesve mjekëve e infermierëve po përtej kësaj ne kemi bërë punë që quhen themele të këtij shteti. Edhe ne kemi bërë rrugë por nuk themi rrugë, rrugë, është vullneti ynë po bëjmë rrugën e Arbrit por nuk merremi me shirita elektoralë”.

Një tjetër arritje të kësaj qeverie Spiropali rendit reformën në drejtësi, për të cilën thotë se opozita u investua fuqimisht kundër saj. Ajo akuzon presidentin Ilir Meta se ka frikë nga reforma në drejtësi.

“Reforma në drejtësi është një kryevepër. Opozita jashtëparlamentare është investuar fuqimisht në reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi nëse ka pasur një armik ka qenë opozita dhe frika e madhe e tyre. Por sot, Ilir Meta flet hapur për kthimin pas për reformën në drejtësi. Tani njerëzit do vazhdojnë me Metën apo me drejtësinë”.

Sa i takon deklaratës së ambasadores Yuri Kim në lidhje me mosshitjen e votës, apo distancimin nga Tom Doshi, Spiropali shprehet se PS-ja nuk ka blerë kurrë vota, por e kërkon me punën, ndërsa Tom Doshi nuk është anëtar i kësaj force politike. Sipas saj, sot qytetarët janë të lirë të manifestojnë idetë e tyre, ndërsa shigjeton kundërshtarët për dhunë në zonat e tyre, kurse për LSI-në thotë se votën e bazon tek të fortët.

“Ne e kërkojmë votën përmes punës që bëjmë jo me logon e partisë. Nuk ka më bastione elektorale njerëzit nuk janë pronë e askujt njerëzit duhet të votojnë ata që besojnë. Ambasadorja mund të ketë më shumë informacione se unë, sigurisht që njerëzit nuk duhet ta dorëzojnë dhe shesin votën e tyre. Vota është e shenjtë. Tom Doshi është përjashtuar nga grupi ynë parlamentar. Nuk është deputet i PS. Të marrin vendim institucionet për kandidimin e Doshit. PS nuk ka blerë kurrë vota dhe nuk ka shantazhuar kurrë njerëz. Në zonat e PD dhuna ka qenë kryefjalë, njerëzit kanë pasur frikë të ngrenë një flamur në Vorë e Kamëz, ne nuk e kemi bërë kurrë këtë. Sot je i lirë të manifestosh idetë e tua, një parti që blen vota që votën e bazon tek të fortët është LSI-ja dhe këtë e dinë të gjithë. Është një parti që të gjithë strategjinë e bazon në gjetjen e pikave të dobëta në elektorat.”

Krahasimi me kundërshtarin është strategjia e PS-së në këto zgjedhje dhe Spiropali thotë se Basha nuk është kandidati për kryeministër, është një vegël në duart e Metës, Kryemadhit dhe Berishës.

“Lulzim Basha nuk është kandidat për kryeministër, por vegël në dorë të Metës, Kryemadhit dhe bacës së partisë. Basha në të mirën e vet do të jetë aty një fasadë. Dhe nuk mund të kthehemi pas. Po të krahasosh dy listat e Tiranës janë njerëz që nuk kanë lënë një gjurmë, janë në krye të listës PD. Aty nuk është vetëm Dash Shehi, se Dashi nuk i ka bërë dëm këtij vendi, por është Mediu që e dinë të gjithë që është fshehur pas imunitetit. Dule dhe Idrizi nuk uleshin kurrë bashkë në Kuvend dhe sot janë në lista”.

  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: 71 pacientë në spitale, 7 në terapi intensive, asnjë në intubim
  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste