Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB DASH.duplicate frame 286 1100x620

Disa qeveri, e përdorën krizën si pretekst për të kufizuar të drejtat dhe për të konsoliduar sundimin autoritar. Kjo është ajo që shkruhet në raportin e DASH për të drejtat e njeriut në botë, gjatë 2020 ku përfshihet edhe vendi ynë. Raporti vëren një sërë shkeljesh mbi çështje kryesore dhe vë si kryefjalë të tijën mosndëshkimin si një problem që mbetet serioz.

KLP vendos sot për shkarkimin e prokurorit të Krujës, Bujar Memia

Këshilli i Lartë i Prokurorisë jep sot vendimin në lidhje me kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Krujës, Bujar Memia. Sipas arsyetimit të ILD, Memia nuk bëri asnjë veprim për të kundërshtuar lirimin e padrejtë të Hekuran Billës nga burgu me vendim të gjyqtares Enkeleda Hoxha.

Abdixhiku: Vota për Osmanin, vendim politik i guximshëm për të mirën e përbashkët

Njehsimin e vendimit për të votuar Vjosa Osmanin si presidenten e re të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kreu i ri i LDK e shikon si vendim politik të guximshëm, që nuk bazohet në përllogaritje partiake por në të mirën e përbashkët. Kreu i LDK takon gjatë ditës Osmanin për t’i bërë të ditur pritshmëritë e forcës që drejton dhe atyre shtetasve që i besuan votën.

Maqedonia e Veriut nis sot vaksinimin masiv

Maqedonia e Veriut nis sot procesin e vaksinimit masiv ndaj koronavirus. Sikurse bën me dije Ministria e Shëndetësisë janë ngritur 30 pika të vaksinimit në mbarë vendin ndërkohë që personat që do e marrin atë janë dakordësuar më parë me mjekët e familjes. Pas grupit me prioritet mbi moshën 75 vjeç, do të kenë mundësi edhe qytetarët e tjerë që të vaksinohen”,  tha ministri Venko Filipçe.

Merkel: Do të vaksinohem edhe me AstraZeneca

“Kur të më vijë radha do të bëj vaksinën Astrazenca”. Kjo është deklarata më e fundit e kancelares gjermane në një kohë që disa rajone në vend e ndaluan përdorimin e saj mbi moshat 60 vjeç. kancelarja është 67 dhe sipas direktivave të rajonit të Berlinit nuk i takon të marrë këtë vaksinë.

Draghi mbledh sot kabinetin për dekretin e ri kundër Covid-19

Mblidhet pasditen e sotme Këshilli i Ministrave në Itali për të vendosur mbi dekretin e ri kundër Covid-19. Nevojitet t’i kthejmë shpresën vendit, duke menduar për programin e rihapjes tha kryeministri Mario Draghi. “Është e nevojshme të ndjejmë sërish shijen e së ardhmes. Duhet të dalim nga kjo situatë”, tha Draghi.

Brazili regjistroi dje numrin më të lartë të viktimave

Shteti i Brazilit në Amerikën Latine përbën një nga qendrat më të prekura nga virusi dhe ditën e djeshme regjistroi edhe shifrën e re rekord përsa i takon humbjes së jetëve. 3780 të vdekur u lajmëruan nga autoritetet në buletinin ditor. Rastet e reja të të infektuarve numërohen mbi 84 mijë e 900.

Greqia vendos sot për mënyrën e rihapjes së vendit

Greqia mbledh sot Komitetin e Ekspertëve për të vendosur mbi mënyrën e hapjes pavarësisht shifrave të larta të pandemisë ku vetëm dje u shënuan mbi 4300 raste të reja. Sikurse citojnë mediat vendase nga e shtuna pritet të hapet transporti ndërqytetas dhe prej së hënës bizneset e vogla. Nuk ka ende një të dhënë për procesin mësimor.

Trump hap faqen e tij në internet

Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump dhe ish-zonja e parë, Melania kanë hapur faqen e tyre ne internet, pasi rrjetet sociale i mbyllën llogaritë respektive pas ngjarjeve të ndodhura në Kapitol dhe largimit nga Shtëpia e Bardhë. “45office.com” është vendi ku tani e tutje Trump do të shpërndajë idetë e tij pa frikën se dikush do t’i censuroje ato që ka për të thënë.