Kritiku kryesor i Putin nis grevë urie: Nuk ndjej këmbët dhe më kanë privuar gjumin

navalny 1100x620

Figura kryesore e opozitës në Rusi, Alexey Navalny ka nisur një grevë urie për të protestuar kundër refuzimit të zyrtarëve të burgut, për t’i dhënë atij qasje në kujdesin mjekësor.

Lajmi u bë me dije në një postim të shpërndarë nga avokatët e tij, në faqen zyrtare të Navalnyt në Instagram të Mërkurën.

“Unë kam të drejtë të telefonoj një mjek dhe të marr ilaçe. Ata nuk po më japin as njërën dhe as tjetrën. Dhimbja e shpinës ka lëvizur në këmbë. Këmba ime e djathtë, dhe tani edhe e majta kanë humbur ndjeshmërinë. Unë shpall një grevë urie me kërkesë që ligji të respektohet dhe që unë të kontrollohem nga një mjek nga jashtë.”, thuhet në postim.

Një nga avokatët e Navalnyt tha javën e kaluar se lideri opozitar vuante nga një dhimbje akute në shpinë që kishte ndikuar në aftësinë e tij për të ecur dhe gjendja e tij po përkeqësohej edhe më nga pagjumësia.

Navalny tha gjithashtu se ai po privohet nga gjumi.

“Në vend të ndihmës mjekësore, unë jam torturuar me privim të gjumit (ata më zgjojnë 8 herë në natë)”.

Një grup mjekësh rusë nisën një peticion në internet duke bërë thirrje për autoritetet e burgut që të lejojnë Navalnyn të trajtohet nga një mjek nga jashtë burgut.

44 vjeçari aktualisht ndodhet në Koloninë Korrektuese Nr. 2, rreth 100 kilometra larg Moskës, i cili njihet si një prej burgjeve më të ashpra në Rusi.

Navalny është arrestuar në një aeroport të Moskës në muajin janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku ishte kuruar pasi u helmua me agjentin nervor Novicok.