Ndikimi i pandemisë, ekonomia u tkurr me 3,3% vitin e kaluar

Rënia e ekonomisë shqiptare për vitin 2020 ka qenë 3,31 për qind. Është ky vlerësimi që bën Instituti i Statistikave.

Të dhënat tregojnë se faktorët që kanë ndihmuar ekonominë e goditur fort, fillimisht nga tërmeti e më pas nga pandemia, kanë qenë programi i rindërtimit, shpenzimet për administratën dhe ato për shëndetësinë për të përballuar emergjencën shëndetësore.

Përmirësimi ka ardhur nga tremujori i katërt, ku ekonomia u rrit me 2,99% dhe duke ekuilibruar sipas INSTAT, rënien e fortë në tremujorët e mëparshëm, kur ndodhi edhe karantina.

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa shprehet i befasuar nga shifra e fundit e publikuar nga INSTAT, që nuk reflekton gjendjen reale. Sipas tij, sektorët kryesorë të ekonomisë vijojnë të jenë në gjendje kritike, ndërsa qytetarët u varfëruan nga shpenzimet për ilaçe.

Rënia e ekonomisë gjatë 2020 është më e butë sesa ajo që parashikonin institucionet financiare ndrëkombëtare, që flisnin për një recesion nga -7,5% deri në -9%. Madje, edhe vetë qeveria kishte parashikuar se rënia do të ishte -4,4%.