Pas shkarkimit, reagon prokurori i Krujës: Parlamenti ka ndikuar në këtë proces

Bujar Memia, prokurori i Krujës u shkarkua nga detyrë këtë të mërkurë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 10 vota pro dhe 1 kundër. Sipas arsyetimit të ILD, Memia nuk bëri asnjë veprim për të kundërshtuar lirimin e padrejtë të Hekuran Billës nga burgu me vendim të gjyqtares Enkeleda Hoxha.

Pas vendimit, Memia ka reaguar duke u shprehur se nuk ka shkelur asnjë ligj, ndërsa thekson se ka ndikuar parlamenti në këtë proces. “Nuk kam shkelur asnjë ligj Të Republikës së Shqipërisë. Parlamenti ka ndikuar në mënyrë flagrante në këtë proces. Do të ndjek rrugën ligjore. Unë kam një mbiemër dhe e dini nga vij”, u shpreh Memia.

ILD thekson se ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistratit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, cenimin e prestigjit jo vetëm të gjykatës dhe humbjen e besimit ndaj tij, por dhe të prokurorisë, si përfaqësuese e interesit publik në gjykim, duke cenuar besimin e publikut te drejtësia.