Rivaliteti i brendshëm në PS, Manja: Ne ndeshemi me vetveten. Basha i shmanget betejave

Vaksinimi, rindërtimi dhe zbatimi dhe mbrojtja e reformës në drejtësi janë tre shtyllat kryesore me të cilat Partia Socialiste do t’i qaset elektoratit për të kërkuar votën e tyre në zgjedhjet e 25 prillit. Këtë e konfirmoi kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja në studion e Ditari në A2 CNN

“Ne e kemi nisur me kohë fushatën, por tani janë ditë intensive ku shpalosim vizionin për mandatin qeverisës. 3 janë shtyllat kryesore; vaksinimi, rindërtimi dhe zbatimi e mbrojtja e reformës në drejtësi”.

I pyetur për deklaratën e kryeministrit Rama të një dite më parë ku u bënte thirrje socialistëve që të shmangnin luftën e brendshme dhe të fokusoheshin te fushata, Manja theksoi se Partia Socialiste ndeshet në këto zgjedhje me vetveten

“Ne sollëm risi në këto zgjedhje, hapëm listat dhe ne si PS i kemi shkuar ekzaktësisht përcaktimeve të Kodit Zgjedhor se për ne vota parapëlqyese është vota e sovranit. PS ndeshet me vetveten, jemi në proces llogaridhënie kemi përgjegjësinë e organizmit të zgjedhjeve se me kundërshtarin, s’kemi ç’matemi ne. Gara me kundërshtarin nuk është e jona, ne ndeshemi me vetveten se çfarë do të bëjmë në mandatin e tretë se lista e kundërshtarit politik janë xhaketa të vjetra dhe tani janë bërë rrecka. Këtë garanci e besim e kemi nga terreni dhe jo më kot listat tona dhe PS në këtë garë bën lajm edhe në garën brenda skuadrës. Në listat tona do të gjesh kandidatë që targetojnë votën e çdo kategorie sociale në qarkun e Tiranës.  Ky rivalitet mes kolegësh është i lidhur me votën e kandidatit, unë jam i bindur që do shtojë votat në PS. Ka garë brenda vetes dhe të gjitha votat e kësaj skuadre do të shkojnë për PS dhe kjo listë kandidatësh e rivalitet kandidatësh do bëjë diferencën. Apeli i kryeministrit ishte një dhe vetëm një; të fokusoheshim te qytetarët dhe fushata derë më derë”.

Manja pranon që ka shumë punë dhe premtime të bëra nga partia Socialiste në mandatin e dytë nuk janë bërë siç duhet, por e justifikon këtë me tërmetin dhe pandeminë, por duke fajësuar edhe opozitën se ka hedhur baltë mbi institucionet. Ai shprehet i sigurt në fitoren e mandatit të tretë dhe këtë besim e garanci thotë se e ka marrë nga qytetarët, përkundër kundërshtarëve që sipas tij kanë braktisur të gjitha sfidat.

“Ka punë që kemi bërë shumë mirë, mirë dhe punë që nuk kanë shkuar ashtu siç duhet. Vazhdimësia e reformave për këtë e kërkojmë votën sepse jemi në tregun e politikës shqiptare që për 30 vite tregojmë që bëjmë shtet, kurse pala tjetër është marrë duke zhbërë punët tona. Edhe në takimet tona njerëzit tanë janë edhe më kritikë, votuesit janë më kritikët, por nuk shohin garanci tjetër përveç PS, sepse e kanë parë dhe provuar atë model që ka braktisur të gjitha sfidat dhe i ka lënë në rrugë. Ishte premtim i joni uji 24 orë që disa qytete e kanë dhe disa jo dhe ambicia jonë është që brenda vitit 2023 të jetë për Tiranën dhe Durrësin, kurse brenda viti 2025 në të gjitha zonat urbanet dhe bregdetare. Ishte e pamundur të realizohej, se brenda mandatit të dytë u përballëm me fatkeqësi natyrore pastaj pandemia dhe sigurisht mandati ynë i dytë ka qenë një betejë mes fatkeqësive dhe një opozite që hedh baltë gurë mbi institucionet, një shtet si Shqipëria ia ka dalë të menaxhojë një tërmet, Covid dhe u testua sistemi dhe falë reformave ia kemi dalë ta menaxhojmë me sukses. Është bërë e pamundura në këtë drejtim”.

Manja akuzon Partinë Demokratike se nuk ka zbatuar asnjë kontratë me qytetarët, ndërsa kreu demokrat sipas tij ka zgjedhur t’u shmanget të gjitha sfidave pasi është mësuar t’ia japin të gatshme. Ai e shigjeton Bashën edhe për tipologjinë e fushatës, pasi sipas Manjës po luan me jetën e njerëzve në pandemi.

“Në gjithë diskursin politik PD nuk ka zbatuar asnjë kontratë me qytetarët që nga braktisja  e parlamentit, zgjedhjeve lokale dhe tipologjia e fushatës, që është loja me jetën kur pandemia është globale do të thotë që PD nuk kë në fokus të vetë qytetarin. Opozita bën beteja dhe betejat zhvillohen kudo, por Basha si lider ka zgjedhur t’iu shmanget betejave dhe kontratave me qytetarët dhe si lider është mësuar t’ia japin të gatshme, ne si PS nuk i kemi mbyllur reformat që t’ia lëmë një lideri si Luli, se kemi shumë punë për të bërë. Partitë politike duhet të zbatojnë aktet në fuqi për pandeminë, që në rastin konkret për këdo duhet të zbatohet ligji, komiteti nuk duhet të ndryshojë rregullat në favor të një agjende politike. Është e turpshme. Duket sikur ne po bëjmë policin e mirë në raport me jetën e qytetarëve, por loja me jetën e qytetarëve që t’i mbledhësh njerëzit duke përhapur virusin dhe nga ana tjetër kërkon vaksinimin masiv janë dy gjëra që nuk shkojnë”.

Sa u takon mos miratimit të listave nga KQZ, Manja theksoi se vështirësia në përzgjedhje qëndron tek opozita, e cila sipas tij e ka fokusin tek emrat dhe jo te vizioni i programit, ndërsa PS po bën gjithçka.

“Zgjedhësi ka dy vota një për partinë një për kandidatin mesa duket kjo nuk po kuptohet në KQZ. PS po bën të gjitha përpjekjet në KQZ që të mos i lëmë shkak opozitës që për një fletë votimi thotë tani po iki nga zgjedhjet. Në rast se te fleta e votimit do jenë emrat e kandidatëve mikroskopikë, nuk mund të arrijnë votuesit ta shprehin si duhet vullnetin do të duhet gjetur një fletë votimi e thjeshtë, e qartë dhe e dukshme. Nuk e kuptoj ku është vështirësia të zgjedhin një model me numra dhe emra. Opozita mesa duket e ka fokusin te emrat dhe jo vizioni e programi që të mbledhë vota te qytetarët se mendon që ndonjë emër mund të çojë votë më tepër te partia. Nuk ndihmon modeli i fletës së votimit se kanë humbur kohezionin me qytetarët shqiptarë. Tani po i rikthejnë këtë model dhe me këtë model fushate po bezdisin njerëzit”.

Sa i takon vendit vakant të të ndjerit Bashkim Fino, në listën e qarkut të Fierit, Manja tha se nuk ka problem për aq kohë sa fletat e votimit nuk janë printuar.

“Për sa kohë nuk ka vajtur për printim fleta e votimit nuk përbën problem asnjë lloj vakance. Jam i bindur që nuk përbën problem kjo gjë, mund të ketë më tepër se 16 kandidatë, por di të them se Fino është i pazëvendësueshëm në PS se kishte një copëz ADN në parti”.

Pastërtinë e listave, një apel ky i përsëritur edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, Manja e konsideron një çështje të kaluar ndërsa shton se PS nuk është bërë kurrë mburojë, por ka mbështetur institucionet.

“Pastërtia e listave është çështje e kaluar, PS ka bërë gjithçka e detyron ligji dhe me ato mundësi që ka bërë filtrin e kandidatëve në 12 qarqe dhe KQZ i ka dërguar në prokurori dhe kam parë që janë shumë nga ata. Duket sikur numri i kandidatëve që ka çuar KQZ në prokurori janë nga opozita se sa do dalin në fund këtë do e thotë drejtësia.  Qëkur hyri në fuqi dekriminalizimi PS nuk është bërë mburojë, por jemi distancuar prerë me vepra dhe kemi mbështetur institucionet”.