Shehi: Nuk po ikën Churchill, por dreqi. Nëse vjen një normal në pushtet do të jetë mrekulli

Opozita ka 8 vjet që është gati për të ardhur në pushtet dhe sot më shumë se kurrë, kështu u shpreh kreu i LZHK-së Dashamir Shehi në studion e Dita Jonë, i cili theksoi se nëse vjen një njeri normal në pushtet, do të jetë një mrekulli.

“Duket se po ikën Churchilli. Këtu po ikën dreqi se me ardh një normal do të jetë një mrekulli. Ky është i certifikuar, ky është një bllok politik. Ka 8 vjet. Edhe brenda nesh mund të mos ketë qartësi të përgjigjes. Zgjedhjet nuk gjykojnë të kaluarën. Ky njeri ka mbaruar”.

Sipas tij Rama sulmon opozitën dhe figurat e saj pasi nuk ka asnjë mjet tjetër dhe asnjë narrativë për të ardhur në pushtet. Shehi thekson se nga gropa që ka krijuar Rama me PPP do të duhen 20 vjet për t’i shlyer.

“Rama s’ka më mjete të tjera ai merret me  figurat, këto figura kanë qenë edhe para 4 vjetësh por atëherë kishte timonin, tepsinë, tiganin. Hera e parë narrativa ishte gropa e Berishës, ndërkohë që ky ka lënë 3.6 mld PPP që do të na duhet 20 vjet për t’i larë. Tani nuk ka më me çfarë merret. Tani merret me mua. Unë kam ikur në ‘96 nga qeverisja. Na vjen turp për këtë qeverisje. Ne qenkemi rreziku? Largohemi ne të vjetrit bashkë me të, ndërkohë që ky është më i vjetër në politikë, ka që në ’98. Është 60 vjeç ai që bën estradë, po ngaqë bën klounin nuk e kuptojnë sa vjeç është. Ku ka rini në PS, është ky dhe një tufë kot, bosh”.

Shehi thekson se është shumë e rëndësishme që të largohet Rama nga pushteti, pasi nuk ka më shtet, por një grup të korruptuarish dhe kriminelësh. Ai i bëri thirrje votuesve që të shohin alternativat që kanë përballë dhe të votojnë. Sipas tij opozita nuk ofron shkëlqimin, por realitetin e shpresës për të shkuar drejt Europës.

“Unë them që për zotin Rama s’do asnjë argument nëse shqiptarëve u duket se sot jetojnë më mirë se 8 vjet më parë, kanë më shumë siguri nuk vriten në rrugë nga pistoleta dhe krimi le të votojnë Ramën, por kanë të gjithë të drejtën të kenë dyshime edhe për krahun tjetër. Edhe unë them që brenda nesh mund të mos jenë qartësia e përgjigjes, zgjedhjet janë një hipotezë për të ardhmen ky është argumenti bazë. Nëse ky sukses është i mjaftueshëm e kanë përballë. Nuk ka se kush është më i zoti për të folur, shikoni të dy palët dhe votoni. Ishim afër Europës dhe jemi 8 vjet larg, krimi ka mbuluar këtë shtet ne nuk jemi më shtet për një grusht të korruptuarish dhe të kriminalizuarish. Ikni bëni zgjedhjen tuaj apo ju ofrojmë shkëlqimin opozitar jo, por realitetin për shpresën se edhe ne të shkojmë drejt Europës”.

Ardhjen e vaksinave e konsideroi një gënjeshtër të Ramës dhe maskarallëk, që po përdoret për fushatë elektorale, pasi sipas Shehit kjo është detyrë e qeverisë, ndërkohë që dyshimet ngrihen me mënyrën e sigurimit të tyre.

“Kjo është gënjeshtra më e madhe se po ua shpjegoj që nuk ka sjellë fare vaksina. 200 mijë vaksina 100 mijë vetë vaksinohen deri për zgjedhjet. Ky do përdor për fushatë, një gënjeshtër  e madhe dhe maskarallëk i madh. Me gjithë dyshimet që kam, ne kemi lidhje me të mëdha me Kinën e Rusinë, e megjithatë ne si politikanë kemi detyrën që t’i themi popullit të vaksinohet, pastaj do t’i kërkojmë hesap këtij zotërisë pse e merr në Abu Dabi dhe jo në rusi, apo kinezen në Kinë pse e merr nëpërmjet Turqisë. Prandaj rritet dyshimi, kjo është detyra që ka bërë dhe mos të gënjejë për fushatë”.

Sa i takon akuzave të kryeministrit për grumbullimet në fushatë, Shehi thekson se kjo është pjesë e cinizimit të Ramës që po mundohet të shfrytëzojë  dhe shajë çdo gjë të kundërshtarit.